(GSP) – Nëse në futbollin kosovar ka një personazh të gjallë me histori të ndritur, ai quhet Eroll Salihu. Sot, në moshën 60-vjeçare, ai është avokat dhe drejtues i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, por e kaluara e tij është e denjë për një film, shkruan të enjten gazeta rumune “GSP”.
Ai u lind në Prishtinë, ndërsa ka lëvizur nga njëri skaj në tjetrin në fushën sportive dhe private. Ai ishte sekretar i Federatës së Futbollit të Kosovës deri në vitin 2021. Së bashku me ish-kryetarin e ndjerë Fadil Vokrri, udhëhoqën Kosovën drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA në vitin 2016. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut!
Nga mesi i vitit 1980, Salihu ishte bërë një lojtar tërheqës, edhe për ekipet e mëdha të futbollit jugosllav. Por ai refuzoi të largohej nga klubi i vendlindjes së tij. Ai preferoi të mbetej te FC “Prishtina”, skuadra simbol e kosovarëve.
Por pas fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ai ishte prej të përfshirëve të organizimit të një lige paralele të shtetit të Kosovës. Dhe, në vitin 1991, ai u bë golashënuesi i parë i garës së asaj kohe.
“Luanim vetëm në fusha të improvizuara, të forta, në kushte fatkeqësie me autoritetet e asaj kohe. Ne nuk mund të luanim në terrenin tonë, sepse stadiumi kontrollohej nga forcat serbe të Jugosllavisë”, thotë Salihu për “gsp.ro”.
Gjithçka nisi në vitin 1989, pas ndeshjes FC Prishtina – Proleter Zrenjanin (2:2). Në fund, derisa lojtarët vendas po debatonin me arbitrin, policia serbe hyri në fushë dhe para 30 mijë shikuesve rrahu lojtarët nga Prishtina. Kapitenit Llapashtica i ishte thyer këmba, u arrestuan shumë tifozë, po ashtu edhe lojtarët!
Stadiumi në Prishtinë ishte i mbyllur për kosovarët, sikurse arenat e tjera sportive në rajon. Kështu lindi një ligë e re e futbollit – sezoni 1991-1992, me ndeshje të luajtura në mënyrë klandestine, në fusha fshati, fshehurazi nga policia serbe.
Ndeshjet shpesh nuk përfundonin, por nuk kishte dorëzim nga mbi 100 klube dhe ndeshje të ndjekura nga 10 mijë shikues.
Ky është futbolli në të cilin Salihu ishte ndër yjet e garës, që ushqeu etjen e kosovarëve për pavarësi.
Ai u largua nga Kosova për ta vazhduar karrierën në Ligën e Parë të Turqisë, te Sariyer dhe Perol Ofisi.
Por Salihu ka pasur edhe një moment tjetër të ndjeshëm në këtë interval: përplasja me Arkanin, ish-liderin e famshëm të forcave paramilitare serbe. Ai ishte bërë udhëheqës i FC “Prishtina” dhe kishte tentuar ta riatdhesonte Salihun nga Turqia.
“Ai dërgoi njerëz që të më detyronin të vija të luaja sërish për Prishtinën dhe ndoshta Jugosllavinë apo Serbinë në nivel kombëtar. Unë refuzova, sepse ishte një njeri shumë i rrezikshëm”, kujton Salihu për “gsp.ro”.
Ai nuk i ka shpëtuar tmerrit të luftës.
“Unë kam vuajtur me gjithë familjen time. Fatmirësisht asnjë nga të dashurit e mi nuk vdiq, por më shkatërruan veturat dhe shtëpinë time”.
Ai ka kujtuar edhe shumë momente tjera të jetës së tij sportive, si lojtar e po ashtu edhe si zyrtar.
Ai do të jetë në stadium të premten në mbrëmje për përballjen tjetër Kosovë – Rumani.
“Tani kemi një grup shumë të mirë, të uritur për lavdi, me disa lojtarë që u zhvilluan në mënyrë të mirë në Rumani. E kam fjalën për Rrahmanin, Krasniqin, Selmanin. Gjërat kanë ndryshuar shumë që nga vitet e para. Jam i lumtur për ekipin aktual që ka mundësinë të tregojë nivelin e tij ndërkombëtar”, ka thënë Salihu.
Ai pret shumë nga trajneri gjerman i Kosovës, Franco Foda.
“Të gjithë presim fitoren e parë ndaj Rumanisë”.