Futboll

Ermal Krasniqi gjobitet nga Rapid Bukureshti

Ermal Krasniqi

Trajneri Bogdan Lobont & Ermal Krasniqi

Sulmuesi i Kosovës, Ermal Krasniqi, është gjobitur për veprimin ndaj trajnerit të Rapid Bukureshtit, Bogdan Lobont.

Krasniqi gjatë zëvendësimit e injoroi trajnerin dhe shkoi direkt për t’u ulur në stol. Më vonë, siç shkruajnë në Rumani, Krasniqi është parë nervoz gjatë qëndrimit në stol. Krasniqi ishte zëvendësuar të mërkurën e kaluar në ndeshjen e gjashtë të plejofit të Superligës së Rumanisë, në humbjen 3:1 ndaj Farulit.

Njëri prej aksionarëve të Rapidit, Victor Angelescu ka konfirmuar gjobën ndaj 25-vjeçarit, por pa dhënë më shumë informata.

“Kemi marrë masë disiplinore. Nuk ishte në rregull. Reagimi i Salahut me Kloppin ishte dhjetë herë më i keq. Mund ta konfirmoj se ai nuk është lojtar problematik. Ai nuk na shkaktoi asnjë problem në dhomën e zhveshjes. Është prej të parëve që paraqitet në stërvitje. Ishte reagim zhgënjimi. Ai mori një gjobë të vogël sipas rregullores disiplinore”, ka thënë Angelescu, shkruan “Digi Sport”.

Trajneri i Rapidit, Bogdan Lobont, ka thënë se rasti është sqaruar dhe se e mbështet lojtarin.

“Kam folur me Krasniqin. Varet nga cila perspektivë e shikoni. Ndoshta e sheh nga këndvështrimi i komentuesit, që nuk e di dinamikën në bankë. Unë dhe Ermali e dimë se çfarë ndodhi, si gjesti i tij, ashtu edhe ajo që pasoi. Unë mbështetem te të gjithë lojtarët që janë në Rapid, të gjithë lojtarët që kanë kontratë me Rapidin. Atë që duhej të sqaroja me të e bëra si pas ndeshjes ashtu edhe në stërvitje të nesërmen. Ata që komentojnë nga jashtë, nuk kam çfarë t'i bëj”, ka thënë Lobont.

25-vjeçari Krasniqi iu bashkua Rapiditi në janar për 1 milion euro nga Cluji. Me skuadrën nga Bukureshti ka kontratë deri në qershor të vitit 2025, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Në Superligën e Rumanisë ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar pesë herë.

Te skuadra e Rapidit janë edhe dy futbollistët shqiptarë, Albion Rrahmani dhe Florent Hasani. Ky i fundit iu bashkua po ashtu në janar nga Tirana për 300 mijë euro, derisa sulmuesi Rrahmani në gusht të vitit të kaluar u transferua nga Ballkani i Suharekës për 600 mijë euro.

Rapidi është në seri të rezultateve negative dhe tashmë ka humbur garën për titull. Në plejof ka pasur rezultate dëshpëruese dhe kjo solli edhe tensione të tjera.