Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, e ka vlerësuar skuadrën e tij si më të mirën në botë. PSG-ja kaloi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke e eliminuar Aston Villan me rezultatin e përgjithshëm, 5:4.
Kampioni i Francës është në kërkim të trofeut të parë në garën elitare evropiane. Në “Villa Park”, Parisi pësoi 3:2, ndërsa skuadra angleze ishte shumë pranë që të bënte rikthim dramatik. Por portieri i PSG-së, Gianluigi Donnarumma, bëri disa pritje të shkëlqyera në pjesën e dytë për të mundësuar kualifikimin. PSG-ja e kishte fituar ndeshjen e parë me rezultatin 3:1.
Ndonëse skuadra e tij vuajti shumë, Enrique është krenar.
“Mendoj se e kam ekipin më të mirë në botë, jo vetëm portierin. Kur jeni në një klub si PSG, ju keni shumë lojtarë kualitativë”, ka thënë Luis Enrique.
“Mendoj se nëse marrim totalin e dy ndeshjeve, atëherë kemi merituar të fitojmë. Jam shumë i lumtur pasi kam mundur t’u ofroja tifozëve tanë një tjetër kualifikim në gjysmëfinale”.
Trajneri i PSG-së ka lavdëruar kualitetin dhe intensitetin e lojës së Aston Villas. Të martën PSG-ja shënoi dy gola të shpejtë, por ekipi anglez u kthye duke realizuar tre të tjerë dhe duke iu afruar shumë pranë edhe golit të katërt.
“E nisëm ndeshjen shumë mirë, duke shënuar dy gola të mahnitshëm dhe duke tentuar të përfitonim nga hapësira. Nuk mund të harrojmë që kjo është Liga e Kampionëve dhe duhet të pranojmë që ekipi kundërshtar ka shumë kualitet. Aston Villa ka luajtur me shumë intensitet në pjesën e dytë. Nuk kishte çka të humbë pasi kishte pësuar në ndeshjen e parë”, ka thënë Enrique.
E trimëruar nga paraqitja e së martës, Aston Villa synon tjetër pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve.
“Jam krenar me çdo gjë që kemi bërë në Ligën e Kampionëve”, ka thënë trajneri Unai Emery. Villa është e shtata në Premier League, por vetëm një pikë larg vendit të pestë që siguron pjesëmarrjen në Champions në edicionin e ardhshëm.
“Tani është më e rëndësishmja të sigurojmë Evropën sërish. Gara kryesore është Liga e Kampionëve. Sfida që kemi në gjashtë ndeshjet e fundit në Premier League është që të sigurojmë tjetër pjesëmarrje në Champions”, ka shtuar Emery.
Tek Aston Villa janë të lumtur për paraqitjen, por të dëshpëruar për eliminimin.
“Qartë se jam i dëshpëruar, por jam krenar me bashkëlojtarët, me klubin. Ishim shumë afër. Na ka munguar fare pak. Kemi pasur shanse për ta dërguar ndeshjen në vazhdime, por duhet të jemi krenarë se si jemi kthyer ndaj një prej ekipeve më të mira në botë. Duam më shumë. Duam të kthehemi këtu në edicionin e ardhshëm dhe do të bëjmë më të mirën për të realizuar këtë”, ka thënë kapiteni i Villas, John McGinn.
Ai ka theksuar se PSG-ja është ekipi më i mirë me të cilin është përballur në karrierë.