Sulmuesi adoleshent i Real Madridit, Endrick, ka aftësi unike që e veçojnë prej të tjerëve. Kështu të paktën ka theksuar trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, pasi braziliani i ri shënoi golin e fundit të madrilenëve në fitoren e vështirë, 3:1, ndaj Stuttgartit në Ligën e Kampionëve.
“Ai është në gjendje të bëjë gjëra që askush nuk mund t’i mendojë”, ka thënë Ancelotti.
18-vjeçari Endrick u bë lojtari më i ri i Real Madridit që ka shënuar gol në ndonjë garë zyrtare ndërkombëtare.
Në minutën e pestë të kohës shtesë, Endrick vrapoi furishëm në fushën e stadiumit “Santiago Bernabeu”. Gjuajti fuqishëm nga 30 metra dhe dërgoi topin në rrjetën e Stuttgartit, fare pranë shtyllës.
“Ai ka aftësi që sulmuesit e tjerë i ëndërrojnë. Është shumë efikas, vendimtar”, ka vazhduar Ancelotti. “Ju mund të shihni që ai ka diçka të veçantë, diçka që nuk kam parë asnjëherë. Dhe ai ka gjuajtje shumë të fortë dhe shumë të shpejtë”, ka shtuar tekniku italian.
Ancelotti ka vazhduar duke thënë se Endrick ka kurajë, pasi bëhej fjalë për topin e fundit në ndeshje.
“Zgjedhja më e mirë do të ishte të përfitohej nga situata tre kundër një, me Viniciusin dhe Rodrygon që u hapën në krahë. Por ai bëri shumë mirë, edhe pse ndoshta ishte zgjedhja më e ndërlikuar”.
Ancelotti tha se ishte i kënaqur me fillimin e fushatës së Madridit në Champions, ndonëse Stuttgarti dominoi në fillim të ndeshjes dhe krijoi raste që e detyruan portierin Thibaut Courtois të shfaqte pritje të nivelit më të lartë botëror.
“Nëse dikush mendon se është e lehtë të fitohen ndeshjet, atëherë gabon rëndë. Kam drejtuar mbi 200 ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe nuk mbaj mend një ndeshje në të cilën nuk kemi vuajtur”, ka thënë Ancelotti.
“Askush më mirë se Real Madridi nuk e di se si është të fitohet një ndeshje në Champions duke vuajtur. Ne ende po mundohemi të gjejmë versionin tonë më të mirë. Është punë që vazhdon”.
Endrick iu bashkua Madridit javë më parë nga Palmeirasi.
Kylian Mbappe dhe Antonio Ruediger i shënuan golat e tjerë për fitoren e Real Madridit. Në xhiron e dytë të fazës së Ligës në Champions, më 2 tetor, Real Madridi është mysafir i Lillet.