Më 12 tetor Përfaqësuesja e Kosovës në futboll luan ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve kundër Lituanisë. Tri ditë më pas luan ndeshjen e dytë kundër Qipros.
Por ende nuk ka vendim nëse sulmuesi Edon Zhegrova, portieri Arijanet Muriq dhe mesfushori Florent Muslija do të ftohen te Kosova për këto ndeshje.
Tre lojtarët ishin suspenduar, përkatësisht ishin larguar nga grumbullimi i kaluar i Përfaqësueses për “thyerje të rregullores disiplinore”.
Sipas njoftimit të 8 shtatorit, vendimi ishte i përzgjedhësit Franco Foda dhe i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Zhegrova, Muriq dhe Muslija u përjashtuan nga grumbullimi një ditë para ndeshjes kundër Qipros, e zhvilluar më 9 shtator në Larnaca, ndërsa u tha se kishin thyer rregullat duke dalë pa leje nga hoteli gjatë periudhës së grumbullimit me Përfaqësuese. Ka pasur raportime se kanë qëndruar në klube nate.
Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, thotë se vendimi për të ardhmen e tre lojtarëve i takon selektorit Foda.
“Është në kompetencën e selektorit. Çdo vendim që është marrë dhe që do të merret është në të drejtën e selektorit. Ai ka të drejtën absolute të vendosë dhe ne po e presim vendimin e tij. Çdo vendim që do ta marrë, ne do ta përkrahim. Kemi folur edhe me selektorin, jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me të dhe tash ai pritet ta marrë vendimin se si do të veprojë me ata lojtarë”, ka thënë Sahiti të dielën për KOHËN.
Sahiti insiston se vendimi i takon vetëm teknikut gjerman për atë nëse do t’i përfshijë në listë për ndeshjet e ardhshme.
“Është duke i shikuar të gjitha mundësitë. Ai ka deklaruar se do ta marrë vendimin më të mirë të mundshëm, edhe për lojtarë, edhe për të gjithë. Besoj se nesër ose pasnesër kjo do të dihet. Ai është në kontakt të vazhdueshëm me gjithë lojtarët. E ka për obligim të mbajë kontaktin me të gjithë. Nuk ka pasur pse të bëhet kaq e madhe. Ne jemi njerëz, mund të gabojmë, e kam fjalën për lojtarët, dhe gabimet duhet të dënohen. Ata kanë pranuar fajin për gabimin e bërë dhe tash mbetet në dorën e selektorit se si do të veprojë me tre lojtarët”, ka theksuar Sahiti.
Edhe më herët ka pasur telashe me disiplinën e lojtarëve të Kosovës. Por shkeljet e rregulloreve kryesisht janë mbajtur të fshehta. Këtë herë FFK-ja vendosi të njoftojë publikisht për largimin e tre lojtarëve nga grumbullimi. Një pjesë e opinionit ka përkrahur vendimin për lojtarët e një pjesë e ka kundërshtuar atë.
“Nuk ka vendim të prerë ende. Mendoj se deri nesër ose pasnesër merr vendim, por ai vendimin e merr me lojtarë. Bisedon me lojtarët, ashtu siç është duke biseduar vazhdimisht. Ai ka me të gjithë kontakt, përfshirë edhe Zhegrovën, Aron dhe Florentin”, ka shtuar Muharrem Sahiti.
Në njoftimin e 8 shtatorit të lëshuar nga FFK-ja ishte shkruar se “për masat e mëtejme ndaj futbollistëve në fjalë do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së”. Nuk ka pasur njoftim për ndonjë mbledhje të Komitetit Ekzekutiv.
Dhe tani Sahiti thotë se vendimi i takon selektorit. Pra, jo Komitetit Ekzekutiv.
Për largimin nga grumbullimi i Kosovës foli ditë më parë Zhegrova. Ai në një konferencë te Lille tha se vendimi për përjashtimin e tij nga Përfaqësuesja ishte i Federatës e jo i trajnerit Foda.
Ndonëse në njoftim shkruan se vendimi ishte i Fodas dhe i FFK-së, Sahiti thotë se ishte vetëm i selektorit.
“As Federata e as njerëzit përreth, por selektori. Gjithçka që merret vendim për lojtarët, e para është nga selektori. Pastaj mbetet të vlerësohet nga ne a të përkrahet apo jo. Ka qenë vendim i selektorit të cilin edhe ne e kemi përkrahur, kështu nganjëherë jepen deklaratat shpejt pa e menduar mirë, por, sidoqoftë, kjo situatë i ka mbetur selektorit të zgjidhet. Çdo vendim që merret nga selektori ne do ta përkrahim”, ka thënë Sahiti.
Në shtator, Kosova fillimisht pësoi 3:0 nga Rumania e më pas mposhti 4:0 Qipron.