Futboll

Ekipi nga Kuvajti iu gëzua shumë fitores 7:1, më vonë e kuptoi se kë e kishte mposhtur

Kuvajti

Ekipi i Premier Leagues së Kuvajtit, Kazma, i ishte gëzuar shumë fitores 7:1 në miqësore ndaj skuadrës egjiptiane, Telephonat Beni Suef. Por më pas kishte zbuluar se rivali në atë ndeshje ishte një grup i lojtarëve amatorë që nuk kishte lidhje me skuadrën egjiptiane. 

Organizatorët e lojës në qendrën stërvitore të Kazmas në qytetin egjiptian Alexandria, kanë kërkuar falje. 

Ata kanë thënë se janë mashtruar, duke menduar se skuadra rivale ka përfaqësuar ekipin Beni Suef, që luan në kategorinë e tretë të futbollit të Egjiptit. 

Federata e Futbollit të Egjiptit ka thënë se do të punojë me zyrtarët e skuadrës së Kuvajtit për ta hetuar incidentin. 

Tutje, Federata egjiptiane ka theksuar se nuk do të ketë më asnjë ndeshje miqësore pa lejen e saj.