Pas golit të shënuar në minutën e 98-të, Leverkuseni ka barazuar rezultatin në udhëtim te Dortmundi dhe e ka vazhduar serinë prej 45 ndeshjeve pa disfatë në të gjitha garat.
Dortmundi ishte shumë afër që t’ia shkaktonte Leverkusenit humbjen e parë në edicionin aktual, por është dorëzuar në fund.
Dortmundi dhe Leverkuseni barazuan me rezultatin 1:1 të dielën, në ndeshjen e xhiros së 30-të të Bundesligës gjermane.
Leverkuseni ka 38 fitore e shtatë barazime në të gjitha garat.
Golin e parë në ballafaqimin që u zhvillua në “Signal Iduna Park” e shënoi sulmuesi Niclas Fullkrug, në minutën e 81-të.
Festë të madhe pati te skuadra që drejtohet nga trajneri Xabi Alonso në minutën e tetë të kohës shtesë, kur mbrojtësi kroat, Josip Stanishiq, realizoi për 1:1.
Granit Xhaka ishte titullar në mesfushë te mysafirët dhe e kompletoi ndeshjen. U ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 92-të, dhe do të mungojë për ndeshjen e radhës.
Barazimi nuk ndikon në renditje, pasi Leverkuseni tashmë e ka fituar titullin e parë në histori të klubit në Bundesligë, në xhiron e kaluar.
Në vendin e parë ka 80 pikë.
Dortmundi që po lufton për të zënë një vend në Champions në edicionin tjetër, ka 57 pikë në vendin e pestë.
Leipzigu është i katërti me 59 pikë.