Futboll

E la “PlayStation” anash, tani mund t’i prijë sulmit të Italisë

Gianluca Scamacca

 

Mesazhi ishte i qartë nga selektori i Italisë, Luciano Spalletti: lëreni ‘PlayStation’ anash dhe nisni fokusimin në shënimin e më shumë golave.

Rezultati ka qenë i mrekullueshëm për Gianluca Scamaccan, i cili ka shënuar nëntë gola në 11 ndeshje për Atalantan, qëkur Spalletti e la atë jashtë listës së “azzurrëve” për ndeshjet e muajit mars. Ai mbeti jashtë për shkak të obsesionit që kishte për lojërat kompjuterike.

“Nëse dikush dëshiron ta humb kohën e vet, është vendim i tij. Por më pas, ai apo ata nuk vijnë në përfaqësuese”, kishte thënë Spalletti, duke bërë me dije se disa lojtarë kanë qëndruar zgjuar gjithë natën para ndeshjes kualifikuese vendimtare për Kampionat Evropian kundër Ukrainës në nëntor.

“Azzurrët” kishin barazuar 0:0, mjaftueshëm për t’u kualifikuar. Por Spalletti nuk ishte i kënaqur me qasjen e disa lojtarëve.

“Do të ishte e njëjta gjë sikur ata të shikonin seri televizive. Është varësi dhe nuk është e mirë për gjumin, thonë mjekët”, kishte shtjelluar Spalletti.

Tani Scamacca është i gatshëm që ta mbushë zbrazëtinë e Italisë në qendër të sulmit, tamam në kohë për “Euro 2024” në Gjermani.

Ciro Immobile ka qenë për kohë të gjatë sulmuesi i qendrës për Italinë por asnjëherë nuk ka shfaqur më të mirën për përfaqësuesen italiane dhe tani te Lazio, në moshën 34-vjeçare, i ka kaluar vitet më të mira.

Kriza për qendërsulmues është rritur shumë saqë selektori i kaluar i Italisë, Roberto Mancini, e kishte rekrutuar sulmuesin e lindur në Argjentinë, Mateo Retegui, t’i bashkohej “azzurrëve”. Dhe Retegui ka pasur paraqitje të mirë me katër gola në gjashtë ndeshje.

Scamacca e ka shënuar vetëm një gol – atë kundër Anglisë – në 15 ndeshje për Italinë. Por në dy muajt e fundit ai është kthyer në një tjetër lojtar, duke e shfaqur potencialin për të cilin njihej qëkur kaloi nëpër grupmoshat e reja te Lazio dhe te Roma.

Ai vlerësohet lojtar që është i kompletuar fizikisht dhe teknikisht, i aftë për të lëshuar gjuajtje të fuqishme në drejtim të portës, e po ashtu duke shënuar edhe gola akrobatikë.

Talenti i tij u vu në pah plotësisht me dy golat e fitores së Atalantas 3:0 në udhëtim te Liverpooli në çerekfinale të Ligës së Evropës. Vazhdoi me një gol dhe një asistim kundër Fiorentinas në gjysmëfinalen kthyese e vendimtare të Kupës së Italisë.

25-vjeçari shënoi edhe një gol tjetër në barazimin 1:1 në udhëtim te Marseille të enjten mbrëma, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

“Ai ka qenë i jashtëzakonshëm kundër nesh. Ishte shumë, shumë i mirë. Ishte shumë vështirë të mbulohej”, ka thënë trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp. “Ai ishte shumë i mirë në ajër dhe shumë i mirë në tokë. Nuk e kam njohur shumë mirë kur ka ardhur te West Hami. Nuk i shkoi 100 për qind, por kjo mund të ndodhë sepse Premier League është ligë e vështirë për të luajtur. Mund të shihni se ai ka kualitete të mëdha. Por për një mënyrë të veçantë të lojës, mendoj se ai është opsion fantastik. Lojtar shumë i përqendruar që mund ta ulë topin dhe ta shtyjë ekipin para. Ai është rrezik në zonë. Është futbollist me të vërtetë interesant”, ka shtuar Kloppi.

Italia nuk ka pasur qendërsulmues të vërtetë, ndoshta prej kohës së Christian Vierit, Luca Tonit dhe Alberto Gilardinos.

Kështu që nëse Scamacca luan në pozitën e qendërsulmuesit, mund të jetë pikë reference për lojtarët si Federico Chiesa, Giacomo Raspadori dhe Nicolo Zaniolo.

Atalanta është skuadër që zakonisht mbështetet në lojtarët që i rritë vet, apo i afron të rinjtë me talent të fshehur. Por, skuadra nga Bergamo ka shpenzuar 25 milionë euro për ta sjellë Scamaccan në Itali nga West Hami. Ai i kishte shënuar tri gola në 16 paraqitje të Premier Leagues dhe sezoni i tij u ndal në gjysmë shkaku i lëndimit të gjurit.

Megjithatë, Scamacca shkëlqeu me West Hamin në Ligën e Konferencës dhe tani ka gjashtë gola në edicionin aktual të Ligës së Evropës – që mund të jetë shenjë e mirë për Evropian, aty ku Italia është në grup me Spanjën, Kroacinë dhe Shqipërinë.