Futboll

E ardhmja e Ajetit te Baseli është në dyshim

Albian Ajeti

Në fund të edicionit, kontrata e Albian Ajetit me Baselin përfundon. Pas përjashtimit në ndeshjen ndaj Sionit, shanset që ai të mbetet për kohë të gjatë po zbehen. Ndër të tjera, edhe për shkak të klauzolës në kontratën e 27-vjeçarit

(Blick) – Është shumë e mundshme se do të ishte krejt ndryshe nëse Albian Ajeti nuk do të vuante pa pritur nga problemet muskulore në fillim të tetorit. Deri në atë pikë, sulmuesi ishte ndoshta lojtari më në formë i Baselit duke siguruar shtatë pikë në tetë ndeshjet e para.

Por para duelit me Young Boysin, Ajeti u ndal sërish nga një lëndim. Lëndimet janë një prej arsyeve pse sulmuesi i talentuar nuk e shfaqi asnjëherë gjithë potencialin e madh në vitet e fundit. Në fitoren 1:0 ndaj Young Boysit, Kevin Carlos ishin në përbërjen bazë të Baselit, në vend të Ajetit. Dhe prej atëherë spanjolli nuk e lëshoi vendin e tij në qendër të sulmit.

Pas startit premtues të edicionit, gjërat kanë shkuar teposhtë për Ajetin.

Pika më e ulët deri më tani: Pasi sulmuesi nuk u përfshi fare në skuadër për ndeshjen e parë të edicionit pranveror ndaj Luganos (2:2), ai u lejua të luajë për 21 minuta ndaj Sionit (4:1). Por pas një ndërhyrjeje plotësisht të pamenduar ndaj Federico Barbas, paraqitja e Ajetit përfundoi para kohës.

Për kartonin e kuq, liga e suspendoi për tri ndeshje. Dënimi nuk ka mundur të jetë për kohë më të keqe. Ajeti do të mungojë në javën në të cilën Baseli duhet të luajë ndaj Zurichut, Luzernit dhe Servette, brenda tetë ditëve. Për shkak të orarit të ngjeshur ai do të mund të ishte në përbërjen bazë për herë të parë që nga shtatori.

Kështu, nëse Carlos mungon, lojtarë të tjerë do të startojnë, Bradley Frink apo Philip  Otele.

Me përjashtimin e fundjavës së kaluar, Ajeti nuk ka humbur vetëm mundësinë që të luajë në tri ndeshjet e ardhshme. Ai rrezikon edhe të ardhmen afatgjatë te Baseli. Kur klubi e ktheu lojtarin e rritur në Basel nga Turqia, saktësisht një vit më parë, atij i dha një kontratë deri në vitin 2025 të bazuar në performancë. Ndonëse kontrata përfshin opsionin e vazhdimit, Ajeti duhet të luajë numër të caktuar të ndeshjeve që klauzola të ketë efekt.

Ajeti ka dëshirë të qëndrojë te Baseli edhe pas verës. Nëse kontrata nuk i vazhdohet automatikisht, bazuar në numrin e ndeshjeve, do të jetë e vështirë për të që të sigurojë kontratë të re. Nëse Finku dhe Otele shfrytëzojnë rastin, minutat e Ajetit do të vazhdojnë të zvogëlohen. Nuk ndihmon shumë fakti që trajneri Fabio Celestini ka mendim pozitiv për sulmuesin.

“Nëse koka e Albit është 130 për qind mirë, ai është lojtar për përfaqësuese sipas meje”, ka thënë trajneri i Baselit në vjeshtë.

Megjithatë, momentalisht Ajeti duket më afër largimit nga Baseli se kthimit te përfaqësuesja e Zvicrës.