Ditë më parë Xherdan Shaqiri bleu aksione në klubin e kategorisë së tretë të futbollit evropian, Rapperswil-Jona. Tani dy afaristë shqiptarë kanë blerë 100 për qind të aksioneve të klubit Schaffhausen që është themeluar në vitin 1896, pra plot 129 vjet më parë.
Fitim e Boletin Hasani janë pronarët e rinj të FC Schaffhausen AG. Ata janë pjesë e industrisë së ndërtimeve dhe operojnë në regjionin e Zurichut, ka njoftuar klubi zviceran.
Ky klub është përballur me vështirësi financiare së fundi, ndërsa borxhet vetëm janë rritur. Por me pronarët e rinj e ardhmja pritet të jetë e ndritur, shkruan Schaffhauseni.
“Drejtori ekzekutiv, Jimmy Berisha, jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të Drejtorëve dhe ia dorëzon postin Fitim Hasanit, i cili së bashku me Boletin Hasanin formojnë Bordin e ri të Drejtorëve. Pronarët e rinj janë shumë të motivuar dhe të përkushtuar për të vazhduar traditën dhe suksesin e klubit dhe për të dhënë shtysë të re me ide dhe investime moderne. E kaluara e pronarëve të rinj në industrinë e ndërtimit do të sigurojë gjithashtu bazë të vlefshme për zhvillimin afatgjatë të stadiumit”, shkruan në njoftimi e klubit.
Shqiptari Jimmy Berisha ka kohë që ishte personi kryesor në këtë klub. Ai është i kënaqur që Fitimi e Boletin Hasani janë pronarë të rinj të klubit.
“Ne kemi shumë besim se kjo mbështetje do t’ia japë një shtysë të vlefshme klubit”, ka thënë Berisha.
Boletin Hasani ka thënë se është krenari për ta që marrin Schaffhausenin.
“Është nder për ne që të bëhemi pjesë e këtij klubi tradicional dhe ta mbështesim atë me ekspertizën tonë në industrinë e ndërtimit dhe entuziazmin tonë për sportin”, ka vazhduar ai.
Fitim Hasani ka treguar se qëllimi i pronarëve të rinj është ta forcojnë klubin edhe më tutje, në fushën sportive dhe të infrastrukturës.
“Mezi presim të punojmë me të gjithë të përfshirët për ta bërë FC Schaffhausenin një klub edhe më të fortë”, ka thënë Fitim Hasani.
Klubi ka shkruar se pret ngrohtësisht pronarët e rinj dhe se pret bashkëpunim të suksesshëm.
Schaffhauseni garon në kategorinë e dytë zvicerane, ndërsa pas stinorit vjeshtor është në pozitën e fundit.
Ylli i dikurshëm zviceran, Ciriaco Sforza, është trajner. Pjesë e kësaj skuadre janë shumë futbollistë shqiptarë.
Schaffhauseni ka luajtur dy herë në finale të Kupës së Zvicrës, së fundi në vitin 1994. Në Superligën e Zvicrës së fundi ka garuar në edicionin 2006/07.