Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka mbrojtur sërish vendimin për të organizuar së bashku me Federatën e Futbollit të Serbisë, Kampionatin Evropian U21 të vitit 2027.
Ai ka thënë se organizimi i Evropianit me Serbinë i shërben shumë edhe Kosovës.
“I shërben shumë edhe Kosovës edhe statusit që pret Kosova apo perspektivës së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Duka në intervistën e gjatë dhënë për televizionin “Euronews Albania”. Intervista e plotë e Dukës është publikuar të mërkurën në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).
Ai ka komentuar opinionin e ish-kapitenit të Shqipërisë, Lorik Cana rreth organizimit të Evropianit 2027 për grupmoshën e 21-vjeçarve.
“E kam dëgjuar Lorikun kur ka folur për këtë çështje. Po ta dëgjoni, atëherë mund ta komentoni. Disa media duan ta komentojnë negativisht. I mirëpres të gjithë, secili ka këndvështrime të ndryshme. Por unë i ftoj që të shohin pozitivisht. Mesazhi është pozitiv. Jam i sigurt që Kosovës deri më 2027 do t’i kontribuojë në statusin e saj. Është një gjest pozitiv, një mesazh paqeje dhe një mesazh bashkëpunimi”, është shprehur Duka.
I pari i FSHF-së ka theksuar se ka lexuar e dëgjuar kritikat për organizimin e përbashkët me Serbinë. Në Kosovë, por në një masë edhe në Shqipëri, po kundërshtohet ashpër vendimi që FSHF-ja ta organizojë bashkë me Serbinë këtë ngjarje kontinentale. Por Duka thotë se nga Evropiani U21, Shqipëria ka vetëm benefite.
“Le ta gjykojmë në këndvështrimin pozitiv se çfarë të mirash i sjell Shqipërisë. Kemi benefite sportive edhe benefite politike, nëse i analizojmë. Ne ende jemi në garë dhe ende nuk është vendosur por gjasat janë që ne do të jemi fitues dhe do të miratohet ky organizim. Jam nisur nga benefitet sportive, por edhe mesazhet që jep bashkëpunimi me një federatë tjetër. Mesazhi që jep është pozitiv, është mesazh paqeje, bashkëpunimi. Ne na intereson që të kemi paqe jo luftë. Ne nuk e harrojmë se çfarë ka ndodhur, se çfarë historie ka. Por unë mendoj që ta ndërtojmë të ardhmen në paqe”, është shprehur Duka.
Kandidatura e përbashkët e Shqipërisë dhe Serbisë është e vetmja, ndërsa në dhjetor, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, vendimi që Evropiani të mbahet në këto dy vende pritet të zyrtarizohet.
Duka ka komentuar po ashtu edhe thirrjet e serbëve kundër shqiptarëve dhe Kosovës në stadiume.
“Ne nuk e dimë se çfarë masash merr Federata serbe sepse të njëjtën gjë mund të thonë edhe serbët, se çfarë masash do të marrë Federata Shqiptare. Unë di të them që nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë mesazhe negative për asnjë popull tjetër. Por fatkeqësisht, nga shkallët e stadiumeve tona edhe ne i ofendojmë serbët. Pavarësisht se nuk luajmë me Serbinë. Kjo është negative nga ana jonë, kjo është negative edhe nga ana e tyre. Këtë lloj mesazhi duhet të japim. Mos ta bëjmë këtë, por të shkojmë në stadium të shohim një ndeshje futbolli”, thotë Duka.
Ai ka vlerësuar paraqitjet e Përfaqësueses së Kosovës. Thotë se Kosova ka potencial për të qenë kandidat për t’u paraqitur në Kupën e Botës 2026.
“Kosova ka një skuadër shumë të mirë. Me përbërje shumë të mirë, futbollistë me shumë kualitet, të nivelit evropian dhe që mund të bëjë shumë mirë në çdo ndeshje. Pavarësisht se patën një hap fals ndaj Rumanisë në ndeshjen e parë, në ndeshjet e tjera ka qenë bindëse dhe uroj që të vazhdojnë kështu deri në fund. Disi e vështirë duket që të jetë e para në grup, por edhe si e dyta e grupit mund të luajë në plejof, por jam shumë i sigurt që do ta kalojnë dhe do të ngjiten në Ligën B në Ligën e Kombeve. Do të jenë një ekip pretendent për Kupën e Botës 2026. Nëse e ka ndryshuar Foda apo e ka ndryshuar koha, këtë nuk di ta them, sepse nuk e njoh nga afër punën e trajnerit. Por di që është një trajner me eksperiencë dhe me shumë rezultate pozitive”, ka thënë Duka.
Ai në intervistë ka thënë se te Shqipëria do ta merrte me shumë dëshirë Edon Zhegrovën.