Gjashtë pikë është dallimi mes Dritës dhe përcjellëses së parë në tabelë, Malishevës. Gjilanasit synojnë që këtë diferencë pikësh ta mbajnë edhe pas xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll dhe potencialisht edhe ta rrisin.
Nuk do të kenë punë të lehtë.
Të shtunën nga ora 13:00, Drita e pret Dukagjinin e Klinës. Derisa Drita udhëheq me 34 pikë, Dukagjini është i teti me 17 pikë. Për ekipin nga Klina çdo pikë ka vlerë ari. Aktualisht synim i Dukagjinit është largimi nga pozita që në fund të kampionatit dërgon në barazh.
Nga 17 pikë kanë edhe Gjilani e Llapi, ndërsa menjëherë pas tyre është Ferizaj me 16 pikë. Feronikeli 74 ka mbetur më prapa me vetëm gjashtë pikë.
“E kemi përballë Dukagjinin, skuadër cilësore dhe me trajner karizmatik. Është një ndër skuadrat më të motivuara. Gjithnjë ndeshjet me Dukagjinin ishin të vështira. Por mbështetemi në kualitetin që kemi, te konkurrenca dhe përvoja që e kemi. Objektivi ynë, si në çdo ndeshje, janë tri pikë. Duhet të vrapojmë më tepër se rivalët, duhet të luftojmë më tepër për të arritur fitore, pasi ndeshje të lehta nuk ka”, ka thënë trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani.
Ai ka kërkuar kujdes nga skuadra që mos të ketë eufori.
“Ekipi është i vetëdijshëm që nuk ka mbaruar asgjë. Diferenca mund të shkrihet shpejt, nëse nuk jemi ambiciozë, seriozë në çdo stërvitje”, ka shtuar Ramadani.
Drita në xhiron e kaluar fitoi 3:2 ndaj Ballkanit në Suharekë. Skuadra gjilanase është në seri prej pesë fitoreve.
Humbjen e vetme deri më tani e ka pësuar nga Llapi në kuadër të xhiros së pestë, më 15 shtator.
Dukagjini në xhiron e kaluar pësoi 1:0 nga Prishtina në Klinë, me gol të minutave shtesë. Fitoren e fundit e shënoi në xhiron e 13-të, 2:1 ndaj Feronikelit 74. Në mesjavë, Dukagjini fitoi për kupë.
“Është ndeshje e vështirë. Besoj sadopak na ka dhënë besim fitorja për Kupë. E dimë që lojën e fundit në ligë e humbëm nga Prishtina në minutën e fundit. Tani kemi ndeshje tjetër të vështirë, ndërsa presim t’i qasemi ndeshje në mënyrën më të mirë. Me angazhimin që e kemi nuk është dashur realisht të jemi në këtë pozitë. Por do të vazhdojmë të japim maksimumin për t’u ngjitur sa më lart”, ka thënë sulmuesi i Dukagjinit, Altin Merlaku.
Dukagjini ka mungesa të shumta, por megjithatë udhëton me synime të qarta për në Gjilan.
Të shtunën është edhe një tjetër ndeshje interesante. Në “Fadil Vokrri” takohen Prishtina e Gjilani.
Prishtina është e katërta me 25 pikë dhe synon tri pikë për të mbetur në garë për kreun e tabelës. Gjilanit i duhen pikët për stabilizim në mesin e tabelës.
Të dielën janë ndeshjet Malisheva – Feronikeli 74 dhe Ferizaj – Ballkani. Te kampioni në fuqi, Ballkani, debuton trajneri Orges Shehi.
Xhiroja mbyllet të martën me ndeshjen Suhareka – Llapi.
Superliga në futboll – XVI
E shtunë (13:00)
Drita – Dukagjini
Prishtina – Gjilani
E diel (13:00)
Malisheva – Feronikeli 74
Ferizaj – Ballkani
E martë (13:00)
Suhareka – Llapi