Futboll

Drita luan për t’iu afruar titullit, Gjilani Evropës

derbi

Drita nuk ka fituar ndaj Gjilanit që prej 10 dhjetorit të vitit 2023. Prej atëherë ka dy humbje e dy barazime. Humbjen e fundit e pësoi më 15 dhjetor të vitit të kaluar. 

Por te liderja e Superligës janë të motivuar për t’i dhënë fund serisë pa fitore në derbin e qytetit të Gjilanit.

Te Drita synojnë fitore për t’iu afruar edhe më shumë titullit të kampionit. Me pikët e plota, Gjilani i afrohet zonës që siguron paraqitjen në garat evropiane në edicionin e ardhshëm.

Drita dhe Gjilani takohen të enjten nga ora 14:00 në fushën me bari sintetik, në kuadër të xhiros së 26-të. Pritet ndeshje interesante, por pa atmosferën e zakonshme në tribuna.

Drita është e para me 54 pikë, 11 më shumë se kampioni Ballkani. Gjilani zë vendin e katërt me 35 pikë.

“Nëse Gjilani është shumë i motivuar, ndoshta është shumë edhe në presion. Larg vendit të dytë jemi 11 pikë dhe nuk kemi aspak presion. Jemi në rrugën e duhur, kemi qetësinë, por zero komoditet. Nuk ka teori për festë dhe as nuk përmendet titulli në skuadër. Janë 11 ndeshje dhe janë 33 pikë në lojë. 33 pikë janë shumë. Sa janë të motivuar lojtarët e Gjilanit, aq më tepër mund të jenë të motivuar lojtarët e Dritës, pasi ne kemi derbin e qytetit dhe objektivin për titull. Ky është motivi ynë më i madh. Dhe për të arritur titullin, duhet në çdo ndeshje të futesh për të fituar pikët e plota”, është shprehur trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, i cili ka punuar për një periudhë te Gjilani. 

Ramadani mund të bëhet shkupjani i dytë që fiton titullin me Dritën. Para tij e fitoi Ardian Nuhiu, tani trajner i Gjilanit. Titulli i fituar në vitin 2020 ishte i fundit për Dritën.

Nuhiu tani ka mision ta dërgojë Gjilanin në Evropë.

“Jemi munduar ta përgatitim ekipin si në aspektin taktik ashtu edhe fizik. Jemi munduar ta analizojmë në detajet më të vogla ekipin kundërshtar, pasi detajet bëjnë diferencën në ndeshje të tilla. Shoh një skuadër të motivuar dhe të mobilizuar. I shoh të bashkuar për të bërë punë si grup. Besoj fuqishëm se vetëm si grup mund të bëjmë më të mirën në takimin e radhës”, ka thënë Nuhiu.

Jo vetëm Nuhiu dhe Ramadani kanë ndërruar mjedis brenda qytetit. Edhe disa lojtarë kanë luajtur në periudha të ndryshme për njërën e skuadrën tjetër.

“Kemi pasur dy javë kohë për t’u përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Është ndeshje e vështirë, por jemi përgatitur maksimalisht që të japim nga vetja gjithçka për t’iu kthyer ecurisë pozitive”, ka thënë Armend Thaqi, mbrojtës i Gjilanit.

Në kuadër të javës së 26-të janë edhe ndeshjet Prishtina – Feronikeli 74, Suhareka – Malisheva, Llapi – Ballkani dhe Ferizaj – Dukagjini.