Legia e Varshavës, Feyenoordi, Antwerpi e Viktoria Plzeni ishin skuadrat që e eliminuan Dritën e Gjilanit nga kupat evropiane në edicionet e kaluara.
Tani Drita përballë do ta ketë një kundërshtar më pak të njohur në futbollin evropian, por jo domosdoshmërisht më të dobët.
Në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Drita do të përballet me skuadrën islandeze, Breidablik.
Ndeshjen e parë skuadra gjilanase do ta luajë në udhëtim, të enjten mbrëma në Kopavogur të Islandës. Ndeshja e kthimit do të jetë në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë më 30 korrik nga ora 17:00.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, për ndeshjet ndaj Breidablikut thotë se skuadra e tij është favorite.
“Nëse e shohim në letër ne jemi favoritë për shkak se ne e presim raundin e dytë, nuk kemi marrë pjesë në raundin e parë. Mirëpo nëse e shohim formën aktuale, rivalët skanë zhvilluar gjysmën e pjesës së parë të kampionatit, kështu që është një formë optimale për ta, ndërsa për ne është vetëm ndeshja e parë për edicionin 2024/2025. Besojmë në kualitetin që e kemi, besoj te futbollistët që i kemi, në konkurrencën, në punën që e kemi bërë deri më tani. Jam i bindur që ne kemi më tepër kualitet dhe shpresoj që kualitetin që e kemi ta shfaqim në fushë dhe ta arrijmë objektivin tonë”, ka deklaruar Ramadani për KOHËN.
Drita në gara evropiane paraqitet nga edicioni 2018/19. Në edicionet e fundit nuk kishte fat në short. Është përballur me skuadra serioze evropiane.
“Skuadrat tona kur nuk ishin favorite në letër kanë treguar cilësi dhe kanë treguar lojëra të bukura. Por tani nuk kemi nevojë për një lojë të mirë ose një lojë të bukur se nuk e kemi përballë Feyenoordin apo Antwerpin, por kemi përballë një kundërshtar ku duhet të kalohet dhe shpresoj në kalimin në raundin e tretë. Pa marrë parasysh a bëjmë lojë të bukur apo nuk bëjmë lojë të bukur neve na intereson vetëm kualifikimi”, ka thënë Ramadani.
Drita ishte e lirë në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Si e treta në kampionatin e Kosovës, garimin evropian e nis prej raundit të dytë të Ligës së Konferencës.
Kapiteni i Dritës, Rron Broja, është më i matur. Ai ka folur edhe për cilësinë e skuadrës nga Islanda.
“Do të luajmë kundër një kundërshtari shumë të vështirë që luan futboll fizik dhe jo rastësisht vitin e kaluar ka qenë në grupet e Ligës së Konferencës. Mirëpo besoj se cila skuadër është më e kujdesshme dhe cila lufton më shumë ajo do ta kalojë raundin”, u shpreh Broja.
Breidabliku në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës e eliminoi Tikveshin e Maqedonisë së Veriut.
Vjet arriti deri në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Ishte në grup me Gentin, Maccabin e Tel Avivit dhe Zorya Luhanskun e Ukrainës. I kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet. Ndër në plejof të Ligës së Konferencës e kishte eliminuar Strugën, kampionen e Maqedonisë së Veriut.
Përkundër ecurisë së skuadrës islandeze në kupa evropiane, mbrojtësi i krahut i Dritës, Besnik Krasniqi, është optimist për kalimin në raundin e tretë kualifikues.
“Mendoj se kemi pasur mjaft kohë për t’u përgatitur për këto ndeshje. Jemi shumë optimistë për këtë ndeshje. E kemi pritur me pa durim. Do të jetë ndeshje e vështirë sepse islandezët janë në përparësi pasi luajnë në kampionat dhe e zhvilluan një ndeshje më shumë se ne. Por jemi përgatitur mjaft mirë dhe jam shumë optimistë se do ta kalojmë këtë raund”, u shpreh Krasniqi.
Në raundin e dytë të Ligës së Konferencës do të paraqiten edhe Ballkani dhe Llapi.
Ballkani u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa Llapi u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. Të dy skuadrat kanë rast tjetër në Ligën e Konferencës.
Ndërkohë Malisheva është eliminuar në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.