Futboll

Drita e Llapi synojnë të kthehen me rezultate pozitive

Drita

Drita e Llapi të enjten luajnë në termine të ndryshme. Llapi luan nga ora 19:00, kurse Drita e Gjilanit nga ora 21:15. 

Por dy skuadrat qëllimin e kanë të njëjtë. Ekipet elitare të Kosovës synojnë të kthehen në vend me rezultate pozitive nga ndeshjet e para të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. 

Drita do të përballet me skuadrën islandeze, Breidablik, kurse Llapi ka punë dukshëm më të vështirë. Luan kundër Brondbyt danez. Të dy skuadrat i zhvillojnë ndeshjet e para në udhëtim, kurse të kthimit i kanë javën tjetër në Kosovë. 

Drita është favorite për të kaluar tutje, sipas portierit të kësaj skuadre, Faton Maloku. Por Maloku e di se për të kaluar tutje duhet angazhim maksimal.

“Kundërshtar jo shumë i njohur për ne. Kemi parë lojën paraprake ndaj Tikveshit. Shihet që rivalët janë nivel i lartë edhe pse në letër mund të jemi ne favoritë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të fokusuar te loja jonë dhe besoj që kemi kualitet më shumë se ata, gjithmonë duke u bazuar në atë se çka japim në fushë”, ka thënë Maloku për faqen zyrtare të klubit gjilanas.

Portieri me përvojë ka insistuar se duhet të tregohen profesionalë në fushë.

“Duhet të jemi në maksimumin tonë dhe të jemi të qetë për t’i shijuar këto ndeshje që na ngritin shumë profesionalisht. Me angazhim e me lojë të mirë, e me rezultat pozitiv, t’i kënaqim të gjithë ata që do të na mbështesin”, është shprehur Maloku.

Drita e nis rrugëtimin në kupat evropiane këtë edicion nga raundi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës. Paraqitjen në garën e tretë të UEFA-s për nga niveli, e siguroi si e treta në kampionatin e Kosovës. Në raundin e parë kualifikues ishte e lirë. 

Drita në gara evropiane paraqitet nga edicioni 2018/19. Në edicionet e fundit nuk kishte fat në short. Është përballur me skuadra serioze evropiane si Legia e Varshavës, Feyenoordi, Antwerpi e Viktoria Plzen. Tani përballë ka ekip më pak të njohur, por jo pa cilësi. 

Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës do të paraqitet edhe Llapi. Llapjanët u eliminuan në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. Dhe u zhvendosën në Ligën e Konferencës. Për kundërshtar në raundin e dytë të Ligës së Konferencës, llapjanët do ta kenë skuadrën e njohur daneze, Brondby.

Forcën e ekipit elitar të Danimarkës e pranon edhe kapiteni i Llapit, Benjamin Emini.

“Danezët janë shumë të fortë. Por synimi jonë është të dalim me një rezultat pozitiv të enjten dhe pastaj në ndeshjen kthyese të provojmë kualifikimin”, ka thënë Emini të mërkurën për KOHËN.

Ai thotë se Brondby është prej kundërshtarëve më të vështirë që kanë pasur skuadrat kosovare në garat evropiane.

“Është një prej kundërshtarëve më të fortë që kanë luajtur kundër skuadrave kosovare. Ne jemi shumë të motivuar për të vazhduar tutje në garat evropiane. Besoj që e kemi përgatitur ndeshjen mirë dhe shpresojmë të na përcjellë edhe fati. Përveç Granit Jasharit, i cili është i lënduar, mungesa tjera nuk kemi. Në këtë ndeshje na kthehet nga lëndimi edhe Valmir Veliu dhe pritet të jetë ndihmë e madhe për ne në këtë ndeshje”, ka thënë Emini.

Llapjanët u eliminuan nga skuadra e famshme polake, Wisla Krakow, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës. Wisla aktualisht luan në kategorinë e dytë polake.

Pjesë e Ligës së Konferencës është edhe kampioni i Kosovës, Ballkani.

Ballkani u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa të martën luajti pa gola me Hamrunin e Maltës në Podujevë, në kuadër të raundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. 

Ndërkohë Malisheva është eliminuar në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.