Drejtori sportiv i Mallorcas, Pablo Ortells, nuk e ka përjashtuar mundësinë e largimit të sulmuesit Vedat Muriqi në verë.
Muriqi javë më parë shprehi pakënaqësi ndaj drejtuesve të klubit spanjoll në lidhje me rinovimin e kontratës.
Reprezentuesi i Kosovës, Muriqi, kishte deklaruar se dëshiron ta vazhdojë kontratën në mënyrë që të bëhet legjendë e klubit. Por deri më tani nuk i është ofruar rinovimi i kontratës.
“Muriqi është lojtar i rëndësishëm dhe është një shenjë e mirë që dëshiron të vazhdojë me ne. Do të ishim të kënaqur të vazhdojmë të llogarisim tek ai. Ai ka kontratë të vlefshme dhe kur të vijë koha shpresojmë që palët të arrijnë marrëveshje dhe ai të vazhdojë në Mallorca”, ka thënë Ortells në një intervistë për “Marca”.
44-vjeçari Ortells përpos Muriqit u pyet edhe për të ardhmen e Cyle Larinit dhe Abdon Pratsit.
Ai theksoi se në afatet kalimtare mund të ndodh gjithçka.
“Tregjet janë të pasigurta dhe ne nuk mund të parashikojmë të ardhmen. Të tre kanë kontrata dhe në këtë drejtim ne jemi të qetë. Asgjë nuk përjashtohet. Ata janë me ne dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në verë”, shtoi spanjolli Ortells.
30-vjeçari Muriqi me Mallorcan ka kontratë edhe dy vjet.
Aktualisht ish-sulmuesi i Lazios është duke u përballur me një lëndim.
Mallorcas i ka munguar në dy ndeshjet e fundit kampionale.