Skuadra e Dortmundit ka realizuar fitore të shtunën me rezultat 2:1 ndaj Borussia Monchengladbachit në xhiron e 29-të në Bundesligë.
Mesfushori Marcel Sabitzer shënoi të dy golat për Dortmundin në minutat 22-të dhe 28-të.
Golin e vetëm për Monchengladbachin e shënoi mbrojtësi, Maximilian Wober në minutën e 36-të të ndeshjes.
Në minutën e 46-të, Dortmundi fitoi penallti, por ndodhi diçka e pazakontë. Marcel Sabitzer mendoi se realizoi “hat-trick” kur shënoi nga pika e bardhë. Gjyqtari kryesor, megjithatë, në konsultim me VAR-in, e anuloi penalltinë dhe golin e shënuar nga Sabitzer.
Vendësit nga minuta e 55-të mbetën me një futbollist më pak në fushë. Sulmuesi gjerman, Karim Adeyemi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga ndeshja.
Dortmundi pas 29 ndeshjeve renditet në vendin e pestë në tabelë me 56 pikë, dhe po lufton për top-katërshe.
Borussia Monchengladbachu është në mesin e tabelës me 31 pikë.