Dinamo Bukureshti ka dy misione për t’i përfunduar me sukses. Të fitojë titullin e kampionit në Rumani dhe ta bindë sulmuesin e Kosovës, Astrit Selmani, ta vazhdojë kontratën, që i skadon në fund të edicionit aktual.
Por kërkesa e Selmanit është e papërballueshme për klubin elitar të Rumanisë.
Presidenti i Dinamos, Andrei Nicolescu, nuk ka zbuluar kërkesat e Selmanit. Por, mediumi rumun “Fanatik” ka zbuluar se Selmani ka kërkuar pagë 25 mijë euro në muaj.
“Kemi dy lojtarë në këtë situatë, Selmanin dhe Josuen. Jemi ende në bisedime. Ata janë lojtarë profesionistë dhe klubi i trajton me respekt. Ne po përpiqemi të nxjerrim maksimumin nga kjo situatë. Nuk na takon neve sa i përket rastit të Selmanit. Bëmë gjithçka që mundëm, tani varet nga diskutimi i tij me menaxherin. Nuk mund t’u japim më shumë detaje”, ka thënë Nicolescu për mediumin rumun “Fanatik” të enjten.
Selmani 27-vjeçar është golashënuesi më i mirë në skuadër me 11 gola. Është pesë gola prapa lojtarit të Clujit, Louis Munteanu, i cili i prin listës së golashënuesve më të mirë në elitën e futbollit rumun.
Selmani iu bashkua në shkurt të vitit të kaluar skuadrës rumune si lojtar i lirë, pas largimit nga ekipi izraelit Beer Sheva.
Dinamo është në vendin e pestë me 45 pikë. Deri në fund të edicionit të rregullt kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u zhvilluar.
Te Dinamo Bukureshti janë të kënaqur me ndikimin e Selmanit, që po udhëheq ekipin drejt plejofit të Superligës rumune të futbollit dhe rrjedhimisht edhe në garën për titull.
I pyetur nga Fanatik nëse Selmani ka kërkuar pagë mujore në vlerë prej 25 mijë eurosh, presidenti i klubit rumun ka refuzuar të japë detaje.
“Fondi ynë i pagave është nën 6 ekipet më të mira, pak më shumë se 200 mijë euro në muaj. Oferta jonë dhe diskutimi përfundimtar është me menaxherin e tij. Është çështje koncepti, çfarë sheh si të rëndësishme gjatë verës. Do të ishte një humbje e madhe nëse largohet, ashtu siç të gjithë thanë se ishte humbje ta mbash atë pas edicionit të kaluar. Të gjithë na thoshin ta largonim, se nuk ishte për Dinamo. Ajo që ne e konsiderojmë tani humbje të madhe është të mos e kemi atë pas përfundimit të kampionatit”, ka thënë Nicolescu.
Pos Selmanit, në kampionatin rumun me sukses janë paraqitur dhe vazhdojnë paraqiten edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë.