Ballkani i Suharekës e kishte përballë kundërshtarin më të lehtë të mundshëm në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në ndarjen ku ishte Ballkani, skuadra nga Andorra, UE Santa Coloma, ishte e fundit prej jo bartëseve. Ballkani ishte bartës në short dhe rrjedhimisht favorit i madh.
Kampioni i Kosovës kishte telashe të mëdha edhe në ndeshjen e parë në Andorrë, të cilën megjithatë e fitoi 2:1. Kjo e vendoste në pozitë shumë të favorshme për ndeshjen e kthimit. Por të martën në Podujevë, Ballkani humbi 1:0 në kohën e rregullt, 2:1 në vazhdime e 6:5 në penallti. Dhe kështu u eliminua nga Championsi, njëjtë si në dy vjetët e kaluar.
Ballkani do ta vazhdojë rrugëtimin në kualifikimet e Ligës së Konferencës, por kjo nuk e arsyeton dështimin në Champions.
Ballkani ka pësuar ndryshime të mëdha gjatë verës dhe kjo mund të ketë pasur ndikimin më të madh në paraqitjen e zbehtë ndaj UE Santa Coloma, që ndaj Ballkanit shënoi fitoren e parë në skenën evropiane, pas 17 humbjeve rresht.
Lojtarët bartës të Ballkanit janë larguar në javët e fundit nga skuadra, duke përfshirë kapitenin Edvin Kuç, pastaj Armend Thaqin, Nazmi Gripshin, Lumbardh Dellovën, Meriton Korenicën, Lorenc Trashin e disa të tjerë. Lojtarë të tjerë, një pjesë cilësorë, kanë ardhur te skuadra e Ilir Dajës, por në Champions u dëshmua se skuadra nuk është ende gati.
“Ditë historike për futbollin e Andorrës. UE Santa Coloma është ekipi i parë nga Andorra që do të paraqitet në raundin e dytë kualifikues të Championsit”, shkruan në një njoftim të Federatës së Futbollit të Andorrës.
Suksesi historik i ekipit andorras e ka edhe anën tjetër të medaljes – dështimin e madh të kampionit kosovar.
Raundi i parë kualifikues i Championsit ishte i pakalueshëm edhe për tre kampionët e tjerë shqiptarë. Kampionia e Shqipërisë, Egnatia e Rrogozhinës u eliminua në penallti nga Borci i Banjallukës, ekipi serb që prezanton Bosnjë-Hercegovinën. Kampioni i Malit të Zi, Deçiqi i Tuzit humbi me rezultat të përgjithshëm 4:1 nga The New Saints i Uellsit. Struga e Maqedonisë së Veriut i humbi dy ndeshjet nga kampioni sllovak, Slovan Bratislava.
Të gjithë katër kampionët shqiptarë e vazhdojnë rrugëtimin në Ligën e Konferencës. Por dështimi në Champions, madje edhe me rivalë inferiorë, mbetet.
Më mirë nuk kanë kaluar as skuadrat tjera të shumta shqiptare që u paraqitën në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës.
Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, që është niveli i dytë, u paraqit Llapi.
Llapjanët përballë e kishin skuadrën e famshme polake, Wisla Krakow. Por Wisla aktualisht luan në kategorinë e dytë të Polonisë. Megjithatë doli të jetë shumë e fortë për Llapin. Fitoi 2:0 në ndeshjen e parë në Poloni dhe 2:1 të enjten në “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Edhe për Llapin ngushëllues mund të jetë fakti që vazhdon në Ligën e Konferencës, mundësi që UEFA e ka krijuar për më shumë paraqitje për skuadrat e vendeve të vogla e rrjedhimisht edhe më shumë para.
Në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës u paraqit Malisheva. Për malishevasit ishte debutim në kupa evropiane, por jo i suksesshëm. Në fakt Malisheva e fitoi 1:0 ndeshjen e parë ndaj Buduqnostit të Podgoricës, që si vendase e zhvilloi në Podujevë. Por të enjten mbrëma në Podgoricë, Malisheva humbi 3:0 nga Buduqnosti. Dhe u eliminua.
Në raundin e parë kualifikues janë eliminuar edhe Vllaznia e Shkodrës, Tirana e Shkëndija e Tetovës.
Raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës me sukses e ka kaluar vetëm Partizani i Tiranës. E mposhti me rezultat të përgjithshëm 3:2, skuadrën nga Malta, Masaxlokk. Golin e kualifikimit, Partizani e shënoi në minutën e 93-të të ndeshjes së dytë.
Në fakt marrë për bazë emrin e kundërshtarit, kualifikimi i Partizanit mund të llogaritet “detyrë e kryer”. Por duke parë bilancin e skuadrave të tjera shqiptare, kualifikimi i Partizanit edhe mund të konsiderohet sukses.
“I rëndësishëm është kualifikimi. Kemi luajtur më mirë se në ndeshjen e parë. Kemi kërkuar golin gjatë gjithë kohës. Tani u kthehemi ndeshjeve të xhiros së dytë, me synim për të shkuar sa më larg”, ka thënë trajneri i Partizanit, Orges Shehi.
Raundi i dytë kualifikues i Ligës së Konferencës do të jetë i mbushur sërish me skuadra shqiptare. Drita e Gjilanit e fillon garimin prej këtij raundi, ndërsa përballë do ta ketë Breidablikun e Islandës. Ndeshja e parë është të enjten e ardhshme në Islandë, ndërsa e kthimit më 1 gusht në Podujevë.
Llapi luan me Brondbyn danez, ndërsa ndeshja e parë e llapjanëve është në udhëtim po ashtu.
Partizani luan me skuadrën gjeorgjiane Iberia.
Ballkani luan me skuadrën nga Malta, Hamrun Spartans. Egnatia përballet me Vikingurin e Islandës, Struga me Pyunikun e Armenisë, kurse Deçiqi me Dinamo Batumin e Gjeorgjisë.
Mbetet të shihet nëse suksesi do të jetë më i madh se në raundin e parë kualifikues.