Lucescu: Faji është i joni që i provokuam në Rumani
Në konferencën për shtyp të mbajtur pas ndeshjes në Prishtinë, selektori i Rumanisë, Mircea Lucescu, ka folur për pritjen që u është bërë rumunëve në “Fadil Vokrri”.
“Duhet ta kuptojmë se është faji jonë që i provokuam në ndeshjet e kaluara. Dua që njerëzit tonë t’i qasen futbollit dhe fenomenit ndryshe, me sjellje ndryshe, me respekt për njerëzit që janë në fushë, me respekt për gjithë shtetin. E dija se kjo do të ndodhë. Lojtarët ishin përfaqësues të denjë të shtetit në këto kushte të vështira. Ishim të përgatitur paraprakisht”, ka deklaruar tekniku 79-vjeçar.
Valentin Mihaila iu përgjigj tifozëve të Kosovës
Valentin Mihaila ka bërë me shenjë te rezultati në ekranin e madh pas fundit të ndeshjes mes Kosovës e Rumanisë.
Mihaila ishte prej lojtarëve më të dalluar te Rumania.
“Fitore e mirë këtu, kundërshtar i vështirë, tifozëri e vështirë, fushë e vështirë. Gjëja e rëndësishme është që dolëm nga fusha pa lëndime dhe që morëm tri pikët. Vendasit ishin shumë agresivë. Në fund ua kam treguar rezultatin, që është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Mihaila për Antena 1.
Sipas mediave rumune ai bëri veprimin si përgjigje për fyerjet e tifozëve të Kosovës.
Selektori rumun tregon se si fituan: kemi luajtur si duam ne
Mircea Lucescu është trajneri më i mirë në histori të Rumanisë. 79-vjeçari për herë të dytë po e udhëheq Rumaninë dhe përfaqësuesja e tij fitoi 3:0 ndaj Kosovës të premten në “Fadil Vokrri”.
“Është fitore e rëndësishme që na jep vetëbesim dhe shpresë. Kemi kontrolluar ndeshje, kemi ditur si të ndërtojmë, kemi ditur si të sfidojmë ata me presing. Kemi shfrytëzuar topat e gjatë kur kishim nevojë. Natyrisht, kur ke tre lojtarë të shpejtë në sulm, është më e lehtë të luash me topa të gjatë”, ka thënë Lucescu për “digisport.ro”.
“Kemi shpresuar për këtë fitore. Natyrisht kur u grumbulluam dhe kur kam parë djemtë që vinin nga e gjithë bota, isha i brengosur. Më pas e kuptova që punoj me disa lojtarë profesionist. I kam shtyrë para, në krahasim me atë që kanë punuar. Ata ishin më shumë për relaksim dhe rikuperim, por kam thënë ‘jo’, duhet të rritemi për t’u përballur me kundërshtarin”, ka shtuar Lucescu.
Ai ka thënë se “kanë sfiduar lojtarët e Kosovës për të bërë atë që rumunët kanë dashur, jo atë që kanë dashur lojtarët e Kosovës”.
Ka përmendur dominimin në mesfushë, kurse për mbrojtësit e qendrës tha se ishin të jashtëzakonshëm.
Man: Fituam shumë lehtë
Futbollisti i Rumanisë, Dennis Man, i cili e shënoi golin e parë të Rumanisë në fitoren 3:0, ka thënë se ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri”, kanë realizuar fitore të lehtë.
“Kishim nevojë për këto pikë. Jam shumë i lumtur që i fituam pikët e plota. E dinim se përballë e kemi një skuadër agresive. Jemi të lumtur që ia dolëm me sukses sot. E fituam ndeshjen me shumë lehtësi. Doja të pasoja te bashkëlojtarët, por më pas vendosa të gjuajë vetë dhe shënova. Jemi të lumtur, me vetëbesim. Të gjithë e dinë se çfarë përvoje ka Mircea. Për ne, ai është plus i madh dhe jemi të lumtur që është me ne. Ishte e rëndësishme ta nisnim këtë kampanjë në mënyrën më të mirë. Duhet të luajmë si favorit. Mund të them se jam në formë të mirë, jam i lumtur”, ka thënë sulmuesi i Parmas në Serie A.
Kapiteni Rrahmani merr përgjegjësinë: Është turpëruese
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani ka thënë se humbja 3:0 nga Rumani është turpëruese. Si kapiten, Rrahmani mori përgjegjësinë për rezultatin dëshpërues.
Rrahmani ishte i vetmi që foli pas ndeshjes për transmetuesin publik.
“3:0 në shtëpi është turpëruese. As unë nuk kam folur në dhomat e zhveshjes, pasi askush nuk e ka pritur këtë. Mos mendoni që është e lehtë për ne, edhe neve na dhemb. Të gjithë ne duam të arrijmë diçka të madhe”, ka thënë Rrahmani.
“E marr përgjegjësinë si kapiten për këtë humbje. Duhet gjithqysh të ketë ndryshime brenda fushës. Nuk bën të luajmë këtë lojë dhe të humbim 3:0. Siç po luajmë në fushë është i pashpjegueshëm rezultati. Kemi lojtarë që bëjnë diferencën. Por po mungon goli. Nuk po e kuptoj ende pse po ndodh kjo. Problemi është që po pësojmë gola. Në tri ndeshjet me Rumaninë nuk kemi shënuar asnjë gol. Duhet të shikojmë. Po kemi ndryshime në formacion, lojtarë të rinj që po vijnë dhe kjo po ndikon, sidomos integrimi në fushë i lojtarëve”, ka shtuar mbrojtësi i qendrës.
“Marre, marre” - Tifozët fishkëllejnë futbollistët pas humbjes nga Rumania
Tifozët e Kosovës janë dëgjuar duke fishkëllyer futbollistët e Kosovës pas humbjes nga Rumania në nisje të Ligës së Kombeve.
Pas ndeshjes janë dëgjuar edhe brohoritjet “marre, marre” e “jashtë, jashtë” në drejtim të futbollistëve kosovarë.
Kosova pësoi 3:0 të premten në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Dëshpëron Kosova, mposhtet thellë nga Rumania në “Fadil Vokrri”
Kishte shpresa të mëdha e në fund kishte vetëm dëshpërim të madh.
Përfaqësuesja e Kosovës ka dështuar plotësisht në ndeshjen e parë të edicionit të ri në Ligën e Kombëve. Të premten mbrëma në “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova pësoi thellë, 3:0, nga Rumania.
Ndeshja nisi mirë për “Dardanët” por përfundoi si më keq. Me tre gola të pësuar, një lojtar të përjashtuar dhe me veprime që pritet të dënohen nga UEFA.
Ndonëse stadiumi ishte i mbushur me shikues dhe përkrahja në fillim ishte e madhe, Kosova shfaqi fare pak në “Fadil Vokrri”.
Presionin fillestar, rumunët e “amortizuan” brenda dhjetë minutave. Më pas loja ishte e balancuar, kurse në minutën e 40-të rumunët shënuan për 1:0. Pas një gabimi të Elvis Rexhbeçajt, Dennis Man shënoi për epërsinë e rumunëve në moment shumë të rëndësishëm.
Entuziazmi te tifozët thuajse u zhduk menjëherë, ndërsa pjesa e dytë ishte prej më të dobëtave të Kosovës deri më tani.
Menjëherë në minutën e 51-të, Razvan Marin shënoi nga pika e bardhë për 2:0.
Valon Berisha bëri ndërhyrje të palejuar në Manin, ndërsa penalltia u dha vetëm pas rishikimit të situatës në VAR. Marin gjuajti fuqishëm e saktë për 2:0.
Kjo ishte goditja vendimtare në ndeshjen e Grupit 2 të Ligës C. Kosova më pas ishte thuajse jashtë lojës. Nuk shfaqi asgjë. Nuk kishte aksione e thuajse asnjë rrezik për portën rumune, njëjtë si në pjesën e parë.
Në minutën e 82-të, Denis Dragush shënoi golin e tretë për Rumaninë. Këtë herë gaboi Fidan Aliti. Aro Muriq priti gjuajtjen e parë, por pas topit të kthyer Dragush realizoi nga afërsia.
Menjëherë në minutën e 85-të, Mërgim Vojvoda mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua. Më pas nisi hyrja e tifozëve në fushë dhe loja u ndërpre disa herë. Për këtë pritet të dënohet FFK-ja nga UEFA, njëjtë si për fishkëllimat gjatë intonimit të himnit të Rumanisë pa nisur ndeshja. Ka pasur edhe hedhje të mjeteve tymosëse në fushën e lojës e plot lëshime tjera.
Ka munguar ajo që pritej – loja e mirë e Kosovës, golat e fitorja.
Kosova ka pasur vetëm disa gjysmëraste, por pa rrezikuar seriozisht. Gjuajtjet kryesisht ishin të pasakta.
Ndërkohë rumunët kanë goditur dy herë shtyllën e portës së Aro Muriqit. Rumania i kishte 16 raste e Kosova 12.
Te Kosova debutuan Elvis Rrexhbeçaj e Fisnik Asllani, por përfaqësuesja ka vazhduar të dëshpërojë në ndeshje garuese.
Lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha mes fishkëllimave dhe thirrjeve “marre, marre” e “jashtë, jashtë”.
Tjetër goditje, Vojvoda përjashtohet me të kuq
Mërgim Vojvoda është përjashtuar në ndeshjen ndaj Rumanisë.
Në minutën e 85-të, Mërgim Vojvoda mori kartonin e dytë të verdhë.
Rumania shënon golin e tretë
Kosova vazhdon të dëshpërojë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Rumania tani po udhëheq 3:0.
Për 3:0 shënoi Razvan Marin në minutën e 82-të.
Fidan Aliti gaboi e pas pritjes së Aro Muriqit, Dshënoi golin e tretë.
Dëshpërim në “Fadil Vokrri”, Rumania shënon golin e dytë
Rumania ka kaluar në epërsi 2:0 ndaj Kosovës.
Razvan Marin shënoi nga pika e bardhë në minutën e 51-të.
Penalltia u shkaktua nga Valon Berisha, ndërsa u akordua pas rishikimit të situatës në VAR.
Kosova më kërkuese por Rumania në epërsi pas pjesës së parë
Kosova ishte më kërkuese në pjesën e parë të ndeshjes së parë të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve.
Rrezikoi në disa raste me Vedat Muriqin, Milot Rashicën e Elvis Rexhbeçajn.
Por ishin rumunët që shënuan.
Në minutën e 40-të realizoi Dennis Man dhe e dërgoi Rumaninë në pushim, me epërsinë e një goli.
Pas golit, në minutën e 44-t, Rumania e qëlloi edhe shtyllën me Valentin Mihailan, pas aksionit mirë të ndërtuar.
Ndeshja po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”, që është i mbushur plot me shikues.
Shokohet Kosova
Dennis Man e ka kaluar në epërsi Rumaninë me golin e minutës së 40-të.
Man me veprim individual e mposhti portierin Arijanet Muriq, që nuk reagoi mirë.
https://streamin.one/v/2d95eaff
Rashica shfaqet rrezikshëm
Milot Rashica ka gjuajtur me kokë nga zona dhe e ka rrezikuar portierin kundërshtar që e priti me vështirësi tentimin e sulmuesit të Beshiktashit.
Man teston portierin e Kosovës
Futbollisti i Parmas, Dennis Man, e ka testuar portierin e Kosovës, Arijanet Muriq, në minutën e 13-të.
Por gjuajtja e Manit u prit pa telashe nga portieri shtatlartë i Ipswch Townit të Premier Leagues angleze.
“Kujdes. Kjo është Kosova” – koreografia e “Dardanëve”
Tifozët e Kosovës, “Dardanët” kanë shpalosur një transparent me mbishkrimin “Kujdes. Kjo është Kosova” në prag të ndeshjes me Rumaninë.
Rumania nuk e njeh shtetin e Kosovës.
Fishkëllehet himni i Rumanisë
Fishkëllima të mëdha janë bërë gjatë intonimit të himnit të Rumanisë.
Dy ndeshjet e kaluara me rumunët janë përcjellë me telashe të shkaktuara nga huliganët rumunë.
Përkrahje e madhe për Kosovën
Kosova do të ketë përkrahje të madhe në ndeshjen ndaj Rumanisë. Stadiumi "Fadil Vokrri" është tashmë gati i mbushur, ndërsa jashtë tij rradhët janë të gjata.
Bileta në tregun e zi
Në afërsi të stadiumit "Fadil Vokrri" ofrohen bileta për ndeshjen Kosovë - Rumani. Çmimi është dukshëm më i lartë se ai zyrtar.

Kishte bileta me çmim prej 40 e 50 euro, e madje edhe 70 euro. Sipas FFK- së të gjitha biletat janê shitur.
Rreth stadiumit ka rradhë të gjata me shikues.
Befasi në sulmin e Kosovës
Fisnik Asllani do të debutojë me fanellën e Kosovës dhe bashkë me Vedat Muriqin, do të jenë në krye të sulmit për ndeshjen kundër Rumanisë.
Ne mesfushë debuton edhe Elvis Rexhbeçaj që do të luajë në krah me Valon Berishën.
Selektori Franco Foda ka vendosur në krahun e djathtë Edon Zhegrovën, kurse Milot Rashicën në të majtin.
Mbrojtja përbëhet nga Leart Paqarada, Fidan Aliti, Amir Rrahmani dhe Mërgim Vojvoda.
Arijanet Muriq është në portë.

Ndeshja Kosova – Rumania nis në orën 20:45 dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Stadiumi është i mbushur plot.
Kosova do ta ketë përkrahjen e rreth 13 mijë shikuesve.