Mesfushori shqiptar Vesel Demaku ka asistuar për Altachun në barazimin 2:2 në shtëpi ndaj Austria Lustenauit të shtunën. Ndeshja i takoi xhiros së 32-të të Bundesligës së Austrisë.
Demaku asistoi për golin që e shënoi sulmuesi Gustavo Santos në minutën e 11-të. Golin e dytë për Altachun në ndeshje e realizoi mbrojtësi Paul Koller në minutën e 89-të. Për Austria Lustenaun golat i shënuan braziliani Matheus Lins në minutën e katërt shtesë të pjesës së parë dhe mesfushori Yadaly Diaby në minutën e 63-të. Demaku luajti vetëm pjesën e parë, ndërsa ish-sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu u paraqit nga minuta e 73-të.
Për Demakun ky ishte asistimi i katërt këtë edicion për Altachun, ndërsa ka kontribuar edhe me tri gola. Altachu renditet në vendin e dhjetë me 21 pikë, kurse Austria Lustenau është në vend të fundit me 16 pikë.