Ndonëse ende 15-vjeçar, Altin Azemi ka debutuar në nivelin e të rriturve në futbollin zviceran. Dhe kishte fillim ëndrrash. Të hënën Azemi luajti prej minutës së 88-të për Xamaxin që fitoi 6:2 ndaj Schaffhausenit në kuadër të kategorisë së dytë zvicerane. Në minutën e 95-të, lojtari ofanziv shënoi supergol nga goditja e dënimit.
“Jam shumë krenar për mënyrën se si kam debutuar”, ka thënë Altin Azemi të mërkurën për KOHËN.
“Trajneri më tregoi që do të jem në ekip, por jo që edhe do të debutojë. Vendosi të më japë disa minuta, ndërsa pasi fitova goditjen e dënimit u tha lojtarëve të tjerë që unë të gjuaj. E mora topin shënova dhe nuk munda të kontrolloj emocionet. E kam hequr fanellën dhe jam ndëshkuar me karton të verdhë”, ka vazhduar Azemi duke qeshur, derisa ka folur për momentin më të mirë në karrierën e deritashme.
Te klubi zviceran Xamax janë shumë të kënaqur me Azemin. Por ai e di që duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Me kokë ulur thotë.
“Është vetëm fillimi, nuk do të thotë asgjë. Duhet të vazhdoj me kokën ulur. Kam shumë, shumë punë për të bërë. Vetëm me punë mund të arrihet ndonjë gjë”.
Ai ushtron kryesisht me ekipin e të rriturve të Xamaxit, ndërsa luan me të rinjtë. Po zhvillohet gradualisht. Aliti tashmë është më i riu që ka shënuar gol në kategorinë e dytë helvetike. Një muaj më parë firmosi kontratë profesionale me Xamaxin, që është e vlefshme deri në vitin 2028. Thotë se te Xamaxi i ka të gjitha mundësitë për zhvillim të duhur.
Synon që një ditë të luajë në Ligën e Kampionëve, në ligat e mëdha evropiane.
“Ndonjë ëndërr të veçantë nuk kam. Dua të arrij sa më shumë në futboll. Por kjo është e mundur vetëm me punë. Prandaj jam i vendosur që të punoj shumë dhe të shohim si do të shkojë”, thotë njëri prej talenteve më të mëdha në futbollin zviceran.
Familja Azemi ka disa dekada që është vendosur në Zvicër.
“Por mbajmë lidhje shumë të fortë me Kosovën. Kosova është vendi im. Në Kosovë jemi bashkë me familjen gjatë çdo pushimi veror”, thotë futbollisti i ri, për të cilin shkruan në dy ditët e fundit të gjitha mediat e mëdha në Zvicër.
Ai ka luajtur për U15 të Zvicrës e tani është pjesë e U16. Ka dy gola në nëntë paraqitje. E mban numrin 10, si dëshmi që vlerësohet lart. Në shumë ndeshje ishte edhe kapiten.
Zvicra është vendi prej ku dolën shumë prej futbollistëve më të mirë shqiptarë. Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka janë më të suksesshmit prej tyre. Xhaka është kapiten i Zvicrës dhe mban rekordin për paraqitje. Shaqiri ka luajtur për disa prej skuadrave më të mëdha evropiane dhe po ashtu ka shkruar histori me Zvicrën.
“Mund të mësojë shumë nga karriera e atyre. Janë lojtarë që kanë arritur shumë dhe janë shembull për mua. Nuk i kam takuar ende, por mund të mësoj shumë prej tyre, prej rrugëtimit që kanë pasur në karrierë”, thotë Azemi.
Numri i futbollistëve shqiptarë në klubet zvicerane është shumë i madh. Edhe më shumë ka në gjeneratat e reja. Te Xamaxi janë katër lojtarë shqiptarë, të gjithë me përvojë të gjatë: Samir Ramizi, Shkëlqim Demhasaj, Lavdrim Hajrullahu, Liridon Mulaj. Pikërisht Mulajn, talenti e zëvendësoi në ndeshjen e së hënës.
“Janë të gjithë lojtarë të mirë dhe djem shumë të mirë. Kalojmë shumë mirë. Natyrisht edhe më ndihmojnë shumë. Është më ndryshe kur ke edhe disa lojtarë të tjerë shqiptarë në përbërje”, thotë Azemi.
Nëse vazhdon me paraqitje si ajo debutuese dhe mban kokën e ulur e punon, gjë të cilën e premton, për Azemin do të dëgjohet shumë në të ardhmen.