Mesfushori belg, Kevin De Bruyne, ka mbetur i befasuar me vendimin e Manchester Cityt, që nuk i ofroi vazhdim të kontratës.
De Bruyne njoftoi javë më parë se do të largohet nga kampioni në fuqi i Premier Leagues në fund të këtij edicioni, kur edhe i skadon kontrata.
33-vjeçari De Bruyne deklaroi se tashmë është pajtuar me vendimin e drejtuesve të Cityt për t’i ndarë rrugët.
“Unë nuk kam pasur asnjë ofertë për rinovim gjatë gjithë vitit. Drejtuesit thjeshtë morën një vendim. Natyrisht, isha pak i befasuar por vetëm duhet ta pranoj. Vendimi është marrë dhe unë thjesht dua të luaj futboll si gjithmonë. Më duhet të shikoj të ardhmen”, ka thënë mesfushori me shumë përvojë.
Kapiteni belg u transferua te City nga Wolfsburgu i Bundesligës në vitin 2015, për 76 milionë euro.
Ai ka realizuar 107 gola në 416 paraqitje në të gjitha garat për Cityn.
Tashmë De Bruyne është në kërkim të një skuadre.
Për yllin belg kanë shprehur interesim skuadra nga Arabia dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.