Futbollistet e Përfaqësueses U19 të Kosovës të martën kanë shënuar fitore shumë të thellë ndaj Maltës, me rezultatin 6:0.
Kjo ishte ndeshja e parë e raundit të dytë kualifikues për Evropianin 2025. Kosova U19 garon në Ligën B, prej ku nuk mund të sigurohet kualifikimi në Evropian. Fituesi i grupit avancon në Ligën A për raundin e parë të fazës së ardhshme kualifikuese.
Kosova U19 është në Grupin B3 së bashku edhe me Letoninë e Kazakistanin.
Ndeshjet e këtij grupi po zhvillohen në Maltë.
Në fitoren e thellë të Kosovës U19, Elona Paci, realizoi “hat-trick”.
Paci e realizoi golin e parë në minutën e 21-të.
Goli i dytë u shënua nga Olsa Maqastena në minutën e 39-të. Tre minuta më pas, Paci e realizoi golin e dytë personal dhe të tretin në ndeshje.
Riga Kallaba shënoi për 4:0 në minutën e 57-të.
17-vjeçarja Paci “hat-trickun” e kompletoi në minutën e 70-të. Ajo realizoi për 5:0.
Besjana Zogaj e shënoi golin përfundimtar në minutën e 89-të.
Kosova ndeshjen e ardhshme e ka më 4 prill ndaj Kazakistanit.