Futboll

Danezët u frikësuan nga rrufeja, kishin përjetuar tmerrin vite më parë

Danimarka

Ndeshja e 1/8 së finales ndërmjet Gjermanisë dhe Danimarkës e zhvilluar të shtunën mbrëma në Dortmund, u ndërpre për disa minuta për shkak të rrufeve të shumta në minutën e 35-të.

Lojtarët e Danimarkës ishin të parët që ndaluan së luajturi, në momentin kur panë diçka të tillë. 

Më pas, gjyqtari Michael Oliver e ndërpreu ndeshjen, lojtarët u kthyen në dhomat e zhveshjes, por ndeshja rinisi pas 15 minutash. 

Reporteri Klaus Egeland që shkruan për futboll, ka shpjeguar në rrjetet sociale pse lojtarët danezë reaguan në atë mënyrë dhe deshën që ndeshja të ndërpritej. 

Ai ka treguar rastin për futbollistin Jonathan Richter, i cili ishte goditur nga rrufeja në vitin 2009. 

Ai ka shkruar se selektori aktual i Danimarkës, Kasper Hjulmand, ka qenë trajner i tij te Nordsjaellandi dhe se Richterit iu desh t’i amputohej këmba. 

Ngjarja ka ndodhur më 20 korrik, kur Nordsjaellandi luajti kundër Hvidovres dhe Richter ka qenë në komë për dhjetë ditë. 

Numri i tij është tërhequr nga klubi dhe ai është dashur të pensionohej në moshën 24-vjeçare. 

39-vjeçari tani është anëtar i bordit të skuadrës daneze, FC Graesrodderne, që luan në kategorinë e katërt të futbollit danez.