Cristiano Ronaldo ka arritur gjithsej 1 miliard ndjekës në rrjetet sociale, duke u bërë personi i parë me këtë shifër, shkruan BBC.
Numri i ndjekësve është llogaritur nga rrjetet sociale, Instagram, Facebook, Twitter, YouTube dhe nga ato kineze, Weibo dhe Kuaishou.
1 miliard ndjekës nuk janë secili person fizik. Një person e ndjek në shumë platforma profilin e Ronaldos dhe disa llogari janë të rreme, të njohura si “bot”.
Sidoqoftë, eksperti i rrjeteve sociale, Paolo Pescatore, nga PP Foresight, e përshkroi numrin e ndjekësve të portugezit “si numër të cilit mediat dhe markat do t'i kushtonin vëmendje”.
“Çfarë arritjeje. Kjo dëshmon më tej ndryshimin thelbësor që po ndodh në media. Tregon fuqinë e Ronaldos për të arritur audiencë të re, më të re falë teknologjisë”, ka thënë Pescatore për BBC.
Në fushë, Ronaldo ishte i njohur për rivalitetin me yllin argjentinas Leo Messi. Jashtë saj, Ronaldo nuk ka konkurrencë - Messi ka vetëm 623 milionë ndjekës.
Selena Gomez, aktore dhe këngëtarë me 690 milionë ndjekës, Justin Bieberi me 607 milionë dhe Taylor Swift me 574 milionë janë të famshmit të tjerë që kanë prezencë të madhe në rrjetet sociale.