Futboll

Courtoisi pritet të jetë titullar në vend të Luninit të sëmurë

Andriy Lunin

Foto: AP

Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ndoshta nuk ka vendim të vështirë për të marrë kur bëhet fjalë për portier, në finalen e Ligës së Kampionëve.

Shumë fjalë rreth Ancelottit ka pasur para finales së Ligës së Kampionëve, se a do ta fillojë duelin ndaj Dortmundit me Andriy Luninin, apo me Thibaut Courtoisin në portë.

Lunini ka luajtur në pjesën më të madhe të sezonit dhe e udhëhoqi skuadrën drejt finales, ndërsa Courtoisi vetëm sa është kthyer nga një lëndim që e mbajti atë jashtë fushës për kohë të gjatë.

Portieri ukrainas është raportuar se është i sëmurë dhe ai vetë ka thënë në rrjetet sociale se “nuk do të jetë i gatshëm të përgatitet” për finalen ndaj Dortmundit. 

“Jam i mërzitur po duhet ta them se nuk do të jem në gjendje të përgatitem për ndeshjen më të rëndësishme të sezonit dhe ndeshjen më të rëndësishme të jetës time, me ekipin tim”, ka shkruar Lunini në Instagram. “Shumë falënderime për mesazhet përkrahëse”, ka shtuar tutje ai. 

Trajneri Ancelotti tha të hënën se Lunini është i sëmurë dhe nuk do të mund të stërvitet me bashkëlojtarët. Lunini qëndroi në Madrid, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës së Realit udhëtoi për në Londër të premten. 

Klubi ka thënë se ai do t’i bashkohet ekipit të shtunën, pak orë pasi të nis finalja në “Wembley”. 

Por, as lojtari dhe as klubi nuk kanë thënë përfundimisht se ai do të mungojë në këtë ndeshje.

Courtoisi e këputi ligamentin e gjurit të majtë në muajin gusht, dy ditë para nisjes së sezonit. Belgu 32-vjeçar më pas e dëmtoi meniskun e këmbës së djathtë në muajin mars, kur ishte afër rikthimit nga lëndimi i gjatë. Ai ishte jashtë fushës deri në fillim të muajit maj, kur luajti titullar ndaj Cadizit në fitoren 3:0. Kjo fitore ia siguroi Realit titullin e 36-të në Spanjë. 

Courtoisi ka përvojë në finale. Ai e fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2022 me Realin, si dhe Kupën FA me Chelsean, Ligën e Evropës me Atletico Madridin, dhe dy trofe të Kupës së Mbretit, një me Realin dhe një për Atleticon. 

Lunini ishte titullar kur Real Madridi mposhti Bayern Munichun në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Priti dy penallti vendimtare në ekzekutimin e 11-të metërshave kundër Manchester Cityt në çerekfinale. 

Portieri i Dortmundit, Gregor Kobel, ka thënë këtë javë se do të jetë e vështirë të mposhtet ndonjëri prej homologëve të tij. 

“Courtois ka treguar se është prej më të mirëve në botë. Mendoj se edhe pas lëndimit, ai është një prej më të mirëve në botë. Dhe Lunini po ashtu. Ai ka pasur sezon të mirë”, ka thënë Kobel. “Nuk mendoj se do të jetë dallim i madh se kush do të jetë në portë, por kush e di. Janë dy portierë shumë kualitativ”, ka shtuar Kobel. 

Reali e synon trofeun e 15-të në Kupat Evropiane, ndërsa Dortmundi të dytin.