Futboll

Cilat rekorde të tjera mund t’i thyejë Leverkuseni

Granit Xhaka Roman Andrich

Foto: Associated Press

Bayer Leverkuseni vazhdon të shkruajë histori. 

Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso, që të enjten siguroi finalen e parë evropiane në më shumë se dy dekada, është në ecurinë më të gjatë pa humbje qëkur kanë nisur garat kontinentale. 

Leverkuseni ka 49 ndeshje pa humbje në të gjitha garat e edicionit aktual dhe e ka kaluar Benfican që mbante rekordin me 48 ndeshje. 

Leverkuseni ka edhe katër ndeshje deri në fund të sezonit. Mund ta fitojë tripletën, pa e pësuar asnjë disfatë. 

Leverkuseni e fitoi Bundesligën javë më parë, është në finale të Ligës së Evropës kundër Atalantas dhe në finale të Kupës së Gjermanisë kundër Kaiserslauternit. 

Skuadra ku luan kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, është vetëm dy ndeshje larg për ta mbyllur kampionatin pa humbje. 

Humbjen e fundit Leverkuseni e pësoi më 27 maj të vitit 2023. 

Sa u përket kategorive elitare të futbollit në Evropë, Arsenali pati 49 ndeshje pa humbje, nga maji i vitit 2003 deri në tetor të vitit 2004. 

Por, Leverkuseni duhet të vazhdojë edhe shumë ndeshje në edicionin tjetër për ta thyer rekordin e Milanit. 

“Rossonerët”, të drejtuar nga Fabio Capello, kishin 58 ndeshje rresht në Serie A pa humbje, prej majit të vitit 1991 deri në mars të vitit 1993. 

Bayern Munichu është i dyti me 53 ndeshje pa humbje në ligë, kurse Juventusi e Arsenali mbajnë vendin e tretë e të katërt me nga 49 ndeshje pa disfatë. 

Në këtë statistikë Leverkuseni është i 11-ti me 32 ndeshje rresht pa disfatë në Bundesligë. 

Para Leverkusenit janë Liverpooli me 44 ndeshje, Barcelona me 43, Sociedadi me 38, PSG-ja dhe Hamburgu me 36 ndeshje.