Më 6 shtator Lituania humbi 1:0 në shtëpi nga Qiproja. Më 9 shtator, Qiproja humbi 4:0 nga Kosova në Larnaca.
Të shtunën prej orës 15:00, Lituania e Kosova takohen në Kaunas, në ndeshjen e xhiros së tretë të Grupit C2 të Ligës së Kombeve. Bazuar në rezultatet e dy xhirove të para, Kosova është favorite e madhe.
Megjithatë, ndeshja mund të jetë sfiduese për të përzgjedhurit e selektorit Franco Foda, ndonëse Lituania është e njohur për basketbollin e zhvilluar e aspak për futbollin.
Lituanët kanë humbur 3:1 nga Rumania në Bukuresht në xhiron e dytë.
Dhe ndeshjen ndaj Kosovës e shohin si mundësi për të reaguar. Rumania ka fituar dukshëm më lehtë ndaj Kosovës në Prishtinë, 3:0, se ndaj Lituanisë. Rumunët shënuan golin e parë që në minutën e katërt, ndërsa Lituania barazoi në 1:1 në minutën e 34-t. Vetëm në minutën e 87-të Rumania shënoi për 2:1 dhe atë nga penalltia. Në minutat shtesë u shënua edhe goli i tretë i rumunëve.
Në atë ndeshje të 9 shtatorit, lituanët u shfaqën kompaktë. I krijuan tetë raste për gol dhe i kishin gjashtë gjuajte që shkuan në portë. Përmirësuan ndjeshëm përshtypjen nga ndeshja e parë.
Në përgjithësi Lituania është prej përfaqësueseve të vogla evropiane në futboll. Selektor është Edgaras Jankauskas, i cili gjithë stafin e ka, po ashtu, nga Lituania. I vetmi lojtar i Lituanisë që luan në ligat e mëdha evropiane është mesfushori 20-vjeçar i Torinos, Gvidas Gineitis. Por ai herë luan e herë jo te skuadra italiane. Lojtarët e Lituanisë paraqiten edhe në Slloveni, Rumani, Poloni, Kazakistan, Japoni, Turqi, Ukrainë, Gjermani e Angli. Në Gjermani e Angli jo në ligat elitare.
Në Ligën C të Ligës së Kombeve, Lituania bëri vend duke eliminuar Gjibraltarin në plejof. Rrjedhimisht është autsajdere e madhe e grupit.
Në kualifikimet për “Euro 2024”, Lituania ishte në Grupin G. Mbeti prapa Hungarisë, Serbisë e Malit të Zi. La prapa vetëm Bullgarinë. Prej tetë ndeshjeve i kishte një fitore, tri barazime e katër humbje. Fitoren e kishte arritur me Bullgarinë, ndërsa barazimet i kishte me Hungarinë, Malin e Zi dhe Bullgarinë.
Prej se luan e pavarur, Lituania asnjëherë nuk është kualifikuar në ngjarje të madhe futbolli.
Kosovën e favorizon edhe ranglista e FIFA-s. Kosova është e 104-ta, ndërsa Lituania e 139-ta.
Niveli i lojtarëve të Kosovës është dukshëm më i lartë se i atyre të Lituanisë. Por kjo, megjithatë, duhet të dëshmohet në fushën e stadiumit “Dariaus ir Gireno”. Stadiumi ka kapacitet prej 15 mijë ulëseve dhe është më i madhi në vendet baltike.
Justas Laciskas është prej lojtarëve të rëndësishëm të Lituanisë. Ai bën karrierë te Olimpija në Lubjanë. Ai ka thënë se ndeshja me Kosovën e më pas edhe ndeshja në shtëpi ndaj Rumanisë janë mundësi e artë që lojën e mirë ta shndërrojnë në pikë të fituara. Laciskas e di cili është problemi i Kosovës – që lojtarët nuk e shfaqin në përfaqësuese atë që e shfaqin në klubet e tyre.
“Duke shikuar klubet ku ata luajnë, mund të duket impresive. Por kjo jo gjithnjë është fytyra e ekipit nacional. Do të shikojmë për dobësitë e tyre”, ka thënë Laciskas.
Kosova sipas të gjitha parametrave është favorite ndaj Lituanisë. Ndeshja, megjithatë, nuk pritet të jetë e lehtë për “Dardanët”.