Futboll

Chelsea reagon ndaj abuzimit racor të Jacksonit

Nicolas Jackson

Te Chelsea thonë se “janë të neveritur nga abuzimi racor i drejtuar ndaj Nicolas Jacksonit përmes mediave sociale”. Sipas klubit londinez abuzimi ka ndodhur pas humbjes në gjysmëfinale të Kupës FA nga Manchester City, të shtunën.

Skuadra e Mauricio Pochettinos humbi 1:0 nga City në “Wembley”. Gjatë ndeshjes, Jackson i kishte tri raste të mira, të cilat nuk i shndërroi në gol.

“Nuk ka vend në shoqëri për asnjë formë të diskriminimit. Si klub kemi qasje të tolerancës zero ndaj çdo incidenti të kësaj natyre”, shkruan tutje në një komunikatë të Chelseat, të publikuar të hënën.

“Klubi do të mbështesë çdo ndjekje penale dhe do të marrë masat më të forta të mundshme, duke përfshirë ndalimet, kundër çdo individi që ka bërë abuzim e që zbulohet se është pronar i biletës vjetore apo anëtar”.

Sulmuesi nga Senegali, Jackson, iu bashkua Chelseat nga Villarreali në verën e kaluar. 22-vjeçari ka shënuar 13 gola këtë edicion, dhjetë prej tyre në Premier League.

Chelsea i ka ofruar përkrahje të plotë Jacksonit.

“Ai është sulmuesi ynë kryesor, i vetmi sulmues që e kemi të gatshëm”, ka thënë trajneri i Chelseat, Pochettino, përpara ndeshjes që luhet të martën ndaj Arsenalit.

“Ai po bën punë fantastike. Bënë punë fantastike për ekipin. Vrapon, shënon gola, jep asistime. Është vetëm stinori i parë i tij. Është djalë i ri, erdhi nga Spanja, ndonëse as atje nuk kishte shumë përvojë. Nëse duam që lojtarin ta krahasojmë me lojtarët ikonikë të klubit, nëse e krahasojmë me Didier Drogban, qartë se ai do të humbë. Por Jackson do ta ketë përkrahjen time maksimale. Edhe nëse nuk shënon gola, ai kontribuon shumë me mënyrën se si lufton për klubin dhe bashkëlojtarët. Ai prodhon shanse. Atij i duhet kohë për t’u përmirësuar. Ai sigurisht do të jetë më i mirë në edicionin e ardhshëm. Nuk ka dyshime për këtë”, ka shtuar Pochettino.