Futboll

Çeferin për Evropianin Shqipëri – Serbi: Na tregon se nuk ka kufij në futbollin evropian

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka thënë se Evropiani 2027 për U21 që do të organizohet nga Shqipëria e Serbia është shembulli më i mirë që tregon se në futbollin evropian nuk ka kufij të vërtetë.

Çeferin foli në hapje të Kongresit të 49-të të UEFA, që po mbahet në Beograd.

“E shikoni një turne si EURO U21, të organizuar së bashku nga Shqipëria dhe Serbia, si një shembull i shkëlqyer: për të na kujtuar se nuk ka kufij të vërtetë në futbollin evropian”, ka thënë ai.

Tutje, udhëheqësi i UEFA-s u shpreh se futbollit evropian duhet të vazhdojë të qëndrojë si model uniteti në botën që po ndahet gjithmonë e më shumë.

“Futbolli është më shumë se një sport: është një pasqyrë dhe një model i shoqërisë. Ai flet një gjuhë universale që shkon përtej kufijve, bashkon komunitetet dhe frymëzon ëndrrat. Futbolli evropian duhet të vazhdojë të qëndrojë si model për unitetin në këtë botë gjithnjë e më të ndarë. Dhe të bashkuar do të qëndrojmë”, ka deklaruar Çeferin.

Në kongresin që po mbahet në Beograd është i pranishëm edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Në Qendrën e Kongresit “Sava” po valëvitet flamuri i Kosovës.