Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka njoftuar të mërkurën se seanca dëgjimore për rastin e Kosovës ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë dhe UEFA-s për ndeshjen e 15 nëntorit në Bukuresht, do të mbahet të hënën, më 24 mars.
Detaje tjera nuk janë dhënë, por të hënën mund të merret edhe vendimi.
CAS-i e kishte hedhur poshtë ankesën e Federatës rumune kundër dënimeve të UEFA-s për ndeshjen ndaj Kosovës.
CAS-i kishte konstatuar se dënimet e UEFA-s ndaj Federatës rumune janë proporcionale me shkeljet që janë bërë.
Paneli i CAS-it kishte vënë në dukje se Federata rumune nuk e kundërshtoi shkeljen e rregullores së UEFA-s (sjellja raciste dhe diskriminuese e tifozëve dhe transmetimi i mesazheve provokuese), por i kundërshtoi sanksionet disiplinore.
UEFA e kishte regjistruar ndeshjen e 15 nëntorit në Bukuresht me rezultatin zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë, ndërsa e kishte gjobitur Federatën rumune me 128 mijë euro dhe me zhvillimin e një ndeshjeje pa shikues.
Në tribunat e stadiumit në Bukuresht më 15 nëntor ishin dëgjuar thirrjet “Serbia, Serbia” dhe lojtarët e Kosovës ishin larguar nga fusha dhe kishin refuzuar të ktheheshin për ta vazhduar ndeshjen, ndonëse kjo ishte kërkuar nga gjyqtari danez Morten Krogh.
Federata e Futbollit e Kosovës në fillim të dhjetorit njoftoi se i është drejtuar CAS-it, lidhur me vendimin e UEFA-s për ndeshjen Rumani – Kosovë.
Gjasat që në CAS të rrëzohen vendimet e UEFA-s nuk vlerësohen të mëdha.