Futbollisti i Real Madridit, Dani Carvajal, do t’i nënshtrohet operimit pasi këputi dy ligamente dhe një tendinë në këmbën e djathtë, ka njoftuar klubi i La Ligas.Mbrojtësi i rëndësishëm u zëvendësua në fitoren 2:0 të Real Madridit ndaj Villarrealit, të shtunën.
32-vjeçari u largua me barelë në kohën shtesë. Ai lëndoi gjurin gjatë një dueli me mesfushorin e Villarrealit, Yeremy Pino.
“Lëndimi i rëndë i ligamentit kryqëzor është konfirmuar. Do të më duhet t’i nënshtrohem një operimi dhe do të jem jashtë fushës për disa muaj”, ka shkruar Carvajal në Instagram.
Trajneri Carlo Ancelotti ka thënë se është i brengosur për lëndimin e Carvajalit. Është goditja e radhës për Madridin, që luajti pa portierin Thibaut Courtois. Ai u lëndua në ndeshjen ndaj Atletico Madridit, javën e kaluar.
Në një deklaratë të lëshuar të dielën, Real Madridi njoftoi se Carvajal është diagnostikuar me këputje të ligamentit kryqëzor të përparmë, këputje të ligamentit kolateral të jashtëm dhe këputje të tendinit popliteal në këmbën e tij të djathtë.