Të hënën në Lozanë të Zvicrës është tërhequr shorti për Kampionatin Evropian për futbolliste që mbahet vitin e ardhshëm në Zvicër nga 2 deri më 27 korrik. Zvicra si nikoqire e turneut, është vendosur në Grupin A bashkë me Norvegjinë, Islandën dhe Finlandën.
Herë pas here te Zvicra ftohet futbollistja e huazuar te PSV-ja nga Wolfburgu, Riola Xhemaili. Futbollistja tjetër shqiptare, Kosovare Asllani me Suedinë janë pjesë e Grupit C.
Në grup me Suedinë janë edhe Gjermania, Polonia dhe Danimarka. Në Grupin B janë Spanja, Portugalia, Belgjika dhe Italia. Kampionia në fuqi Anglia është në Grupin D bashkë me Francën, Uellsin dhe Holandën.
Në tërheqje të shortit ka marrë pjesë edhe ish-futbollisti i Zvicrës, Xherdan Shaqiri. Shaqiri po paraqitet me shumë sukses te skuadra e Baselit.