Futbollisti i grupmoshës U21 të Gjermanisë, Brajan Gruda, është ftuar nga selektori i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, për ta mbushur numrin e lojtarëve në kampin stërvitor për “Euro 2024”. “Bundesliga.com” ka shkruar për sulmuesin kryesor të Mainzit, i cili një ditë mund ta ketë një vend në ekipin senior të Gjermanisë
I lindur në Speyer, në brigjet e lumit Rhine, Brajan Gruda është djali i ish-futbollistit shqiptar, Bujar Gruda. Bujari ka qenë futbollist i kampionit të Shqipërisë, Vllaznisë – madje luajti edhe në Kupën e UEFA-s para se të lëvizte drejt Gjermanisë.
Brajani shpejtë tregoi afinitetin për futbollin dhe shkëlqeu te skuadra lokale, FC Speyer, para se të shkonte te të rinjtë e Karslruhes. Mainzi pa diçka të veçantë te sulmuesi dhe e vendosi menjëherë te grupmosha U15, ku shpejtë nisi të fitojë edhe trofe.
Pas sezoneve të penguara nga pandemia “Covid 19”, Gruda u inkuadrua te skuadra U19 e Mainzit, në sezonin 2021/22. Dhe nga aty nisi ngritja e madhe e tij. Ai shënonte gola nga pozita të ndryshme të sulmit. Yllit në ngritje iu ofrua kontrata profesionale me Mainzin, e më pas nisi edhe përfshirja e tij në stërvitje me ekipin profesional.
Progresi natyral bëri që futbollisti të debutonte te Mainzi si 18-vjeçar kundër Borussia Dortmundit në janar të vitit 2023. Gjatë asaj kohe ai luante edhe me grupmoshën U19. Me kontributin e tij, Mainzi e fitoi kampionatin te juniorët. Goli i parë te skuadra seniore në Bundesligë ishte ai kundër Borussia Moenchengladbachut. Gruda me gjuajtje të fuqishme nga një distancë e largët, realizoi për 1:1, në ndeshjen e xhiros së shtatë të kampanjës së fundit.
Për shkak të aftësive dhe statistikave të mira me Mainzin U19, Gruda ka pasur rol të rëndësishëm edhe nga grupmosha U15 deri në U21 te Gjermania. Me U21 ka shtatë paraqitje. Talenti i tij u shpërblye edhe nga Federata e Futbollit e Gjermanisë që e vlerësoi atë me medaljen e argjendtë në ceremoninë “Fritz Walter Medal”, në vitin 2023. Ky çmim u jepet lojtarëve më të mirë të rinj në Gjermani.
Gruda, ende vetëm 19-vjeçar, kishte përfunduar në vendin e dytë, prapa sulmuesit të Borussia Dortmundit, Youssoufa Moukoko.
Së fundmi, forma e tij bëri që të jetë ndihmë e madhe për Mainzin në sigurimin e mbetjes në elitë, pas ecurisë pozitive me trajnerin Bo Heriksen. Gruda ishte i përfshirë në shtatë gola, katër i shënoi ndërsa tre të tjerë i asistoi. Falë paraqitjeve siguroi edhe ftesë nga Gjermania. Selektori Julian Nagelsmann me numër të vogël të lojtarëve do t’i nis përgatitjet për “Euro 2024” dhe për këtë arsye ka ftuar Grudën dhe Rocco Reitzin e Gladbachut. Lojtarët kryesorë do të mungojnë në nisje të përgatitjeve shkaku i angazhimeve në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe Ligës së Kampionëve, me Bayer Leverkusenin, Dortmundin dhe Real Madridin.
Stil të ngjashëm me Andres Iniestan
Fituesi i Kupës së Botës 2010 me Spanjën dhe i një numri të madh titujsh me Barcelonën, e kaloi periudhën më të madhe duke luajtur në mesfushë. Megjithatë, anëtari i Emirates Club ka shkathtësi të cilat i posedon edhe Gruda dhe stili i tyre nuk është shumë i ndryshëm në fazën sulmuese. Të dy kanë kontroll tejet të mirë të topit, teknikë dhe balancim, bashkë me vizion për pasime të gjata dhe natyrisht, për t’i dribluar kundërshtarët. Dhe njësoj si Iniesta, Gruda mund të krenohet me gjuajtjet e forta.
Lëndimi serioz
Gruda në muajin shkurt pati një përplasje shumë të rëndë në stërvitje me Silvan Widmerin. Gruda u dërgua në spital dhe iu deshën disa qepje, ndërsa u udhëzua të luajë me maskë mbrojtëse në fytyrë. 19-vjeçari e la prapa lëndimin e rëndë dhe u paraqit në ndeshjen e radhës për Mainzin, që fitoi 1:0 kundër Augsburgut.
“Gjithë ata që e panë dje situatën e orës 4 pasdite, nuk do ta imagjinonin asnjëherë se ky djalosh do të luajë futboll sot”, kishte thënë drejtori sportiv i Mainzit, Christian Heidel, pas fitores. “Fytyra e tij ishte e shqyer, kishte qepje dhe mendova se nuk do të luajë futboll për dhjetë javët e ardhshme”.
Çfarë thonë të tjerët për të
“Ne duam që t’u japim shansin këtyre dy të rinjve për të na treguar çfarë mund të bëjnë në ekipin senior, kështu që skuadra mund të stërvitet mirë në fazën e hershme të përgatitjeve”, ka thënë selektori i Gjermanisë, Nagelsmann, pasi zgjodhi Grudën dhe Reitzin.
“Brajani është 19-vjeçar, pësoi lëndim me të vërtetë shumë serioz, pati shumë penj dhe më pas ai thotë se dëshiron të luajë. Kjo e bën dallimin me lojtarët tjerë, pasi ai shfaq guxim dhe hyn në lojë duke dhënë maksimumin. Dhjetë minuta më pas, ai e heq maskën mbrojtëse! Është e pabesueshme”, kishte thënë trajneri Bo Henriksen pas rikthimit të menjëhershëm të Grudës në qendrën stërvitore, pas lëndimit në fytyrë.
“Ai ka treguar gjithçka që kemi nevojë në klub. Duhet të jemi të guximshëm dhe të qëndrojmë së bashku. Është gjë e madhe kur një 19-vjeçar lë gjurmë të tilla”, kishte thënë tutje Henriksen duke e përgëzuar Grudën.