Sulmuesi i Kosovës, Eliot Bujupi, ka vazhduar me paraqitje të mira me fanellën e ekipit U19 të Stuttgarit gjerman. Ai të martën shënoi një gol ndaj Liverpoolit U19, në ndeshjen e plejofit të UEFA Youth League. Bujupi shënoi golin e epërsisë 1:0. Ai golin e epërsisë e shënoi në minutën e tetë, ndërsa ndeshja përfundoi baras, 2:2. Por Stuttgarti siguroi kalimin tutje pas ekzekutimit të penalltive.
Bujupi shënoi gol edhe nga penalltia. I saktë nga pika e bardhë ishte edhe Deli Hajdini që luajti në pjesën e dytë. Stuttgarti fitoi 5:3 pas ekzekutimit të penalltive.
Bujupi nga një gol i ka shënuar Juventusit dhe Cërvena Zvezdës, kurse dy gola shënoi kundër Atalantas. Goli i realizuar ndaj Liverpoolit është i pesti në “Championsin” e të rinjve. Në total, Bujupi ka shënuar 18 gola dhe ka asistuar shtatë herë në të gjitha garat e edicionit aktual.
18-vjeçari ishte në bankën e rezervistëve të ekipit të parë të Stuttgartit në ndeshjet e Ligës së Kampionëve kundër Slovan Bratislavës dhe Paris Saint-Germainit.