Futboll

Bujupi, e ardhmja e sulmit të Kosovës

Eliot Bujupi

Eliot Bujupi flet pak. Por është i qartë në atë që thotë dhe dëshiron të arrijë. Deri tash ia ka dalë shumë mirë.

17-vjeçari për Kosovën U19 ka shënuar katër gola në pesë ndeshje. Nëntë gola në 18 ndeshje i ka shënuar për ekipin U19 të Stuttgartit.

Golin e fundi e realizoi më 23 mars kundër Spanjës U19. Ai shënoi supergol nga gjuajtja e lirë. Më i miri që ka shënuar për Kosovën, thotë futbollisti për KOHËN.

“Kam luajtur pesë ndeshje me Kosovën, katër gola i kam shënuar. Por goli ndaj Spanjës është më i miri që e kam bërë me Kosovën”, ka thënë Bujupi.

Tre golat e tjerë i shënoi në nëntor të vitit të kaluar. Golin e parë e shënoi në barazimin 1:1 të Kosovës U19 kundër Sllovakisë, të dytin në fitoren 4:0 ndaj Ukrainës, kurse të tretin e realizoi ndaj Maltës.

Ndeshja ndaj Maltës kishte përfunduar baras, 2:2, dhe kështu Kosova U19 kishte siguruar raundin elitar të kualifikimeve për “Euro 2024”.

Kosova kishte shpresa se mund ta siguronte Evropianin. Por raundin elitar e mbylli me dy humbje dhe një fitore. Fitore shënoi ndaj Austrisë 1:0, ndërsa humbi nga Spanja 2:1 dhe Sllovenia 2:0.

Bujupi i mungoi Kosovës U19 në ndeshjen kundër sllovenëve. 

Pas largimit nga Sllovenia, ku u zhvillua raundi elitar, Bujupi qëndroi disa ditë në Kosovë me leje të klubit gjerman. Pas vizitës që ua ka bërë familjarëve, të dielën është kthyer në Stuttgart.

Eliot Bujupi ka luajtur shtatë ndeshje për Gjermaninë U17 dhe tri ndeshje për Gjermaninë U16 para se në nëntor të vitit 2023 të paraqitej për herë të parë me fanellën e Kosovës.

“Dy vjet kam luajtur për Gjermaninë dhe pastaj kam biseduar me familjen. Kam vendosur me zemër për Kosovën, pasi kam familjen nga Kosova. Kam pranuar shumë mesazhe përkrahëse kur vendosa të luaj për Kosovën. Janë gëzuar shumë. Edhe unë jam i lumtur që luaj për Kosovën”, është shprehur sulmuesi Bujupi.

Ai u lind në Boeblingen të Gjermanisë, ndërsa me Kosovën ka ëndërr kualifikimin në ndonjë ngjarje të madhe.

“Ëndrra ime është që një ditë të luaj për Kosovën në Evropian”, është shprehur Bujupi.

Elioti me futboll nisi të merrej nga mosha 7-vjeçare në shkollën e futbollit të VfL Sindelfingen. Luajti edhe për të rinjtë e Stuttgarter Kickers para se në vitin 2021 t’i bashkohej ekipit U17 të Stuttgartit. Në vitin 2023, 17-vjeçari u gradua në ekipin U19 të Stuttgartit.

“Stuttgarti më jep mundësi për të ushtruar dhe për të arritur në atë nivel ku çdo lojtar ka ëndërr për të qenë. Po e ndiej veten shumë mirë aty”.

Bujupi thotë se shpejt do të nënshkruajë kontratë profesioniste.

“Shumë shpejt pritet të nënshkruaj kontratë profesioniste dhe ajo më motivon të shkoj sa më lart”, ka theksuar Bujupi.

Ai është i bindur se shpejt do të ftohet të stërvitet edhe me ekipin e parë.

“Besoj se do të arrij lart, pasi i shikoj ndeshjet e Stuttgartit dhe trajneri ka sistemin që më përshtatet mua për të arritur shumë suksese”, ka thënë Bujupi.

Ai vlerësohet e ardhmja e sulmit të Kosovës.