Armando Broja është zotuar të japë gjithçka për ta çuar klubin e tij të ri, Evertonin, drejt një të ardhmeje të ndritur.
Broja u huazua tek Evertoni në ditën e fundit të afatit kalimtar nga Chelsea. Evertoni, që viteve të fundit po lufton për ekzistencë, e ka opsionin e blerjes në fund të sezonit.
22-vjeçari shqiptar u prezantua të enjten te “The Toffees”. Ai ende po rikuperohet nga lëndimi.
“Ndihem shumë mirë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu. Jam shumë i lumtur dhe mezi pres të filloj. Mendoj se ka ekip të fortë këtu, një përzierje lojtarësh të rinj dhe me përvojë. Është mjedis fantastik për mua të vij të luaj futboll, të luaj në Premier League me një klub si Evertoni. Ky është klub me histori të madh, një top klub dhe është e mrekullueshme për mua të jem këtu. Si lojtar, veçanërisht si lojtar i ri, je i prirë të ndihesh i kërkuar dhe kjo është mënyra se si Evertoni më ka bërë të ndihem që nga dita e parë. Ata më kanë dashur vërtet, kështu që kjo të bën të ndihesh vërtet mirë dhe krenar”, ka thënë Broja gjatë prezantimit.
Broja është i vetëdijshëm që Evertoni nuk e ka nisur mirë sezonin. Skuadra që drejtohet nga Sean Dyche ka tri humbje në Premier League nga po aq ndeshje të zhvilluara.
“Ndoshta fillimi i sezonit nuk ka shkuar ashtu siç dëshironim, por patjetër që mund të rikthehemi me skuadrën dhe menaxherin që kemi. Sigurisht që ndihem sikur do të ketë shumë ditë pozitive përpara dhe, për mua, jam duke u fokusuar vetëm në rikthimin dhe integrimin me ekipin”, ka shtuar Broja.
Sulmuesi i Shqipërisë ka debutuar te Chelsea në mars të vitit 2020, pikërisht ndaj Evertonit. Ka pasur periudha huazimi, ndërsa te Chelsea nuk ia doli të stabilizohet. Me ta ka kontratë deri në vitin 2033.
Nëse vendos ta transferojë pas një viti, Evertoni duhet të paguajë 30 milionë funte për Brojën.