Armando Broja është larguar nga Chelsea, por në fund përfundoi tek Evertoni. Në natën mes të premtes e së shtunës, Broja u huazua për një edicion nga Chelsea tek Evertoni, që ka opsionin e blerjes së kartonit të tij verën e ardhshme.
“Pasi kemi përcjellë zhvillimin e Armandos për shumë vjet, jemi shumë të lumtur që ia dolëm ta sjellim atë në klub”, ka thënë drejtori i futbollit tek Evertoni, Kevin Thelwell.
Broja aktualisht është i lënduar, ka njoftuar Evertoni.
“Armando është ende lojtar i ri, që megjithatë ka përvojë impresive. Por disi ndiejmë që ka shumë më tepër potencial. Do të punojmë që ai të jetë i gatshëm sa më parë. Prania e tij do të shtojë opsionet në sulmin tonë”, ka shtuar Thelwell.
22-vjeçari ka debutuar te Chelsea në mars të vitit 2020, pikërisht ndaj Evertonit. Ka pasur periudha huazimi, ndërsa te Chelsea nuk ia doli të stabilizohet.
Nëse vendos ta transferojë pas një viti, Evertoni duhet të paguajë 30 milionë funte për Brojën.
Evertoni i ka humbur dy ndeshjet e para në Premier Leaguen angleze.