Futboll

Broja “pa dhimbje”, premton gola e asistime për Evertonin

Armando Broja

Sulmuesi Armando Broja u ka thënë tifozëve të Evertonit se është 100 për qind i sigurt se ka shumë për të dhënë gjatë pjesës së fundit të edicionit 2024/2025 në Premier League.

Sulmuesi shqiptar, i huazuar nga Chelsea për edicionin aktual,  mbeti jashtë fushës për dhjetë ndeshje shkaku i lëndimit në takimin e FA Cup kundër Peterbroghtit në janar.

Tani sulmuesi i Shqipërisë është sërish në formë të mirë fizike. Ka hyrë në fushë në secilën nga tri ndeshjet e fundit të Evertonit dhe ka luajtur po ashtu dy ndeshje për Shqipërinë, përfshirë atë nga minuta e parë në fitoren 3:0 ndaj Andorrës, në kuadër të kualifikimeve të Botërorit 2026.

Deri në fund të edicionit në Premier League kanë mbetur edhe shtatë ndeshje, ndërsa Broja është i vendosur të përshëndetet me tifozët e Evertonit në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai ka premtuar gola e asistime.

“Ndihem shumë mirë tani. Jam i lumtur që u ktheva në fushë dhe që luaj pa dhimbje. Kjo është gjithçka që kam dashur – të luaj pa dhimbje, të shijoj futbollin, të luaj para tifozëve dhe të përpiqem të bëj më të mirën për ekipin. Jam 100 për qind i sigurt, ka shumë për të ardhur nga unë. Ka ende gjëra të mira që do të vijnë nga unë. Ka shumë më shumë gjëra që mund të bëj. Do të ketë momente kur edhe do të shënoj, do të asistoj. Sigurisht, unë dua të luaj shumë më mirë. Por siç thashë, gjëja më e rëndësishme për mua është që jam rikthyer dhe të luaj pa dhimbje. Thjesht të mbesin prapa lëndimet që kam pasur në të kaluarën dhe të vazhdoj përpara”, ka thënë Broja në intervistën dhënë për sajtin e klubit, të hënën.

Ai thotë se ka dhënë maksimumin gjatë paraqitjeve me Evertonin dhe klubet e tjera.

“Kudo që jeni, cilido që jeni, është gjithmonë e rëndësishme kur keni një mundësi për t’iu treguar trajnerit, tifozëve, klubit dhe të gjithëve se çfarë mund të bëni. Kjo e plotëson një lojtar. Sa herë që kaloni vijën e bardhë, duhet të jepni gjithçka, pavarësisht se ku jeni, në çfarë niveli jeni. Është për të mirën tënde dhe klubit”, është shprehur Broja.

Sulmuesi beson se tek Evertoni do të ndahen të kënaqur me të në fund të kampanjës.

23-vjeçari me Chelsean ka kontratë deri në qershor të vitit 2028. Për Evertonin nuk ka shënuar gol. Nuk ka dhënë as asistim në dhjetë ndeshje në të gjitha garat. Ai mungoi një pjesë të gjatë të këtij edicioni për shkak të lëndimeve.

Evertoni është në garë për mbijetesë në Premier League. Zë vendin e 15-të me 35 pikë, sa ka edhe West Hami. Premier League ka 20 ekipe.

Evertoni në fundjavë luan ndeshje të vështirë kundër skuadrës së vendit të tretë, Nottingham Foresitit, përpara se ta presë kampionin në fuqi të Premier Leagues, Manchester Cityn.

Pas përballjeve të vështira në xhirot e kaluara me Liverpoolin dhe Arsenalin, që mbajnë pozitat një dhe dy në tabelë, Broja thotë se do të përpiqen të futen në çdo ndeshje me besim të madh.

“Kishim ndeshje të vështira ndaj Liverpoolit dhe Arsenalit. Janë skuadra të vështira dhe kjo është arsyeja pse janë lart. Por ne luajtëm mirë në dy ndeshjet dhe ndoshta mund të kishim marrë më shumë nga këto ndeshje, sidomos kundër Arsenalit. Pa dyshim që kishim disa raste, veçanërisht në pjesën e dytë. Ne arritëm të barazojmë rezultatin dhe kjo tregon karakterin që kemi në ekip. Dua të them, edhe para se të vija këtu, sa herë që luanim kundër Evertonit, ishte gjithmonë lojë e vështirë. Ne e dinim se do të ishte lojë e vështirë. Mund ta shihni edhe sot. Ne nuk ndalemi. Vazhdojmë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit”, ka theksuar Broja.

Ai ka folur edhe për tri ndeshjet e fundit në “Goodison Park”, stadiumin 133-vjeçar.

“Ndeshja e fundit do të jetë një moment historik për klubin, pasi pa dyshim që është sezoni i fundit në ‘Goodison’”, ka thënë Broja.

Ai ka theksuar se synimi i klubit është të fitojë sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura.

“Ne kemi edhe shtatë ndeshje dhe e dimë se përballë kemi skuadra kryesore, por ne do të japim gjithçka për t’u ngritur sa më lart që të jetë e mundur”.

Broja është prej më të rëndësishmëve te Shqipëria. Për kombëtaren kuqezi ka luajtur 25 ndeshje, ndërsa ka kontribuar me pesë gola.