Futboll

Borsellini, portieri i Fushë Kosovës me të kaluar tek Udinese

Davide Borsellini

Davide Borsellini nuk ka pranuar gol në pesë ndeshje me Fushë Kosovën. Por kontributi i portierit italian nuk është se po i kryen shumë punë skuadrës së Superligës së Kosovës në futboll.

Fushë Kosova është e parafundit në tabelë dhe me gjasa shumë të vogla për të mbetur në Superligë edhe në edicionin e ardhshëm.

Borsellini 25-vjeçar, në janar iu bashkua Fushë Kosovës. Prej atëherë është njëri prej lojtarëve kryesorë në skuadër. Ka qëndruar mes shtyllave në 13 ndeshje tashmë.

Aventura te Fushë Kosova është e para jashtë Italisë për Borsellinin.

“Kam nisur të luajë fillimisht te të rinjtë e Lazios. Më pas kalova te Paganese. Pas një viti në ligën e të rinjve me Paganesen, kam luajtur ndeshjen e parë si profesionist në ekipin e parë. Më pas kalova tek Udinese. Kam luajtur edhe aty me të rinjtë. Për fat, kam shkuar 3-4 herë me ekipin përfaqësues të Italisë, për grupmoshën U19. Ka qenë gjë shumë e bukur. Më pas u ktheva në Serie C te Rende, për dy vjet. Për dy vjet kam qenë edhe pjesë e Viterbeses. Isha për gjashtë muaj edhe te Lecco dhe më pas erdha këtu”, ka thënë Borsellini për KOHËN.

Në edicionin 2017/18, Borsellini ka qenë pjesë e klubit të njohur italian, Udinese, si portier i tretë. Ai ka treguar për momentet më të mira që i kaloi te skuadra e Udineses.

VIDEO:

“Kam kujtime të mira. Ka qenë periudhë e mirë, si ëndërr. Aty kam shkuar falë punës. Momenti i mirë ka qenë kur u ftova në ndeshjen e parë nga trajneri Luigi Delneri. Moment tjetër i mirë është viti i dytë i qëndrimit tek Udinese. Trajneri u ndryshua dhe më pas si drejtues i skuadrës ishte Massimo Oddo. Drejtuesit e klubit folën me mua dhe më thanë se do të isha portier i tretë. Thash me të vërtetë? Më thanë se më kanë zgjedhur mua. Të kemi zgjedhur ty, Simone Scuffetin  dhe Albano Bizzarrin. Për këtë vit, t’i do të qëndrosh në ekipin e parë. Dhe për një djalosh të ri është ëndërr. Është liga jote, luan në ekipin e parë, është ëndërr me të vërtetë. Kalimi tek Udinese ishte shumë i bukur”, ka shtuar Borsellini.

Tek Udinese, Borsellini megjithatë nuk avancoi përtej portierit të tretë. Provoi në skuadra të tjera. U paraqit në Serie C, që është niveli i tretë i futbollit italian. Më lartë nuk ka arritur. Tani ka disa muaj që është te Fushë Kosova. Italiani është shprehur se është i lumtur te skuadra kosovare. Thotë se nuk është duke menduar për ndonjë transferim.

“Nuk e di për momentin. Shumë njerëz më thonë se ku do të shkosh në kampionatin tjetër. Për momentin jam i fokusuar këtu. Jam në kontakt me Fushë Kosovën. Jam shumë i lumtur këtu. Në momentin kur hapet afati kalimtar mund të vijnë oferta. Megjithatë, jam i lumtur që jam këtu”.

Në ndeshjen e së shtunës ndërmjet Fushë Kosovës dhe Lirisë, që i takoi xhiros së 31-të të elitës së futbollit kosovar, Borsellini ka pësuar një lëndim që e ka detyruar të largohet para kohe. Fushë Kosova humbi 2:0 nga skuadra prizrenase.

Te Fushë Kosova ka edhe lojtarë të tjerë të huaj. Por ndryshimet e bëra në janar dolën të jenë të vonshme për Fushë Kosovën, që ngadalë po rrëshqet drejt kategorisë së dytë.