Futboll

Bobani nuk synon postin e presidentit të UEFA-s, por e “thumbon” Çeferinin

Zvonimir Boban

Legjenda e futbollit kroat, Zvonimir Boban, ka thënë se nuk dëshiron të jetë pasues i Aleksander Çeferinit në postin e presidentit të UEFA-s.

Por, ai ka theksuar të enjten se trupi qeverisës i futbollit evropian ka nevojë për “një njeri të vërtetë të futbollit”, dhe jo për dikë se mendon se është më i madh se vetë loja.

Ish-futbollisti i Kroacisë dhe Milanit dha dorëheqje nga posti i shefit të futbollit në UEFA në muajin janar në protestë të Çeferinit që bënte ndryshime në statut për të mbetur edhe më gjatë në krye të UEFA-s.

Çeferini më vonë e kishte quajtur Bobanin palaço në muajin shkurt, në Kongresin e UEFA-s. 

“Nuk kam ndonjë interes. Por UEFA ka nevojë për një njeri të vërtetë të futbollit”, ka thënë Bobani, shkruan “Associated Press” të enjten.

Bobani i ishte bashkuar UEFA-s në vitin 2021 si këshilltar i Çeferinit.

“Më vjen keq se si janë ndarë rrugët tona”, ka thënë Bobani të enjten, duke deklaruar se prej asaj kohe nuk ka folur më me Presidentin e UEFA-s.