Mesfushori Uran Bislimi e ka vazhduar kontratën me Luganon. Ai do të jetë pjesë e “bardhezinjve” deri në vitin 2027, ndërsa lajmi është bërë i ditur nga klubi i Superligës së Zvicrës të enjten. Kontrata e kaluar e Bislimit skadonte në vitin 2026.
Për Luganon, Bislimi ka zhvilluar 105 ndeshje në të gjitha garat dhe ka realizuar 13 gola në total. 25-vjeçari është prej lojtarëve kryesorë te skuadra e drejtuar nga trajneri Mattia Croci-Torti. Bislimi kishte paraqitje me grupmoshën U19 të Zvicrës.
Më pas iu bashkua Kosovës, me të cilën luajti dy ndeshje miqësore dhe e realizoi një gol. Por ai vendosi ta vazhdojë karrierën te Përfaqësuesja e Zvicrës.
Me përfaqësuesen helvetike ka dy ndeshje zyrtare, ndaj Rumanisë e Andorrës, në kualifikime të Evropianit 2024.
Në edicionin aktual për Luganon ka zhvilluar 23 ndeshje në të gjitha garat. Ka tri gola të realizuar e dy asistime.