Futboll

Bislimi u nënvlerësua gjatë gjithë karrierës

Uran Bislimi

Uran Bislimi mbajti duart te veshët gjatë festës pasi shënoi golin e parë në fitoren e Luganos 2:0 kundër FC Lausanne-Sport. Duhet të jetë një përshëndetje për mikun e tij më të mirë.

“Ai është tifoz i madh i Galatasrayt dhe tha se kur shënoj gol ‘duhet të festoj si Mauro Icardi’”, thotë Bislimi për “Blick”. Gazeta e madhe zvicerane i ka kushtuar një tekst të gjatë Bislimit.

Mesfushori ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar katër herë. Jo keq për një lojtar që u nënvlerësua gjatë gjithë karrierës së tij.

“Urani nuk ishte një fluturues, sepse nuk ishte më i shpejti. Kjo është arsyeja pse shumë nuk e llogaritën atë si një talent i madh”, thotë ish-trajneri i tij në klubin Concordia Basel, Werner Mogg.

Edhe pse Mogg pëlqente shumë personalitetin e Bislimit, tregon se ai kurrë nuk ishte përpara në hierarki.

“Nëse Urani do të më thoshte, kur ishte 16-vjeçar, se do të luante në përfaqësueses në një moment, unë do t’i kisha thënë: Mund të jesh duke parë ëndrra”.

Si Alex Frei

Është më mirë që Bisilimi ia doli, thotë Mogg.

“Urani është djalë i mirë, shumë i arsyeshëm. Ai gjithmonë ka ditur të gjykojë saktë veten”.

Gilles Yapi, i cili ishte në grumposhën U21 të Baselit me Bislimin, thotë se ai e kuptonte mirë lojën.

“Ishte i qetë me topin. Ai ishte punëtor”, tregon Yapi.

Qasja ishte plusi i madh i Bislimit, thotë Mogg.

“Unë stërvita Alexander Frein. As ai nuk ishte një futbollist i madh në moshën 15-vjeçare, por kishte vullnetin për t’u përmirësuar. Urani ma kujton atë”.

Nuk ka gjasa që Bislimi një ditë të arrij 84 paraqitje ndërkombëtare për Zvicrën si Frei. Konkurrenca në mesfushë është shumë e madhe te Zvicra.

Bislimi 24-vjeçar, i cili bëri depërtimin e tij si profesionist në FC Schaffhausen nën drejtimin e trajnerit të atëhershëm Murat Yakin, luan në ekipin përfaqësues sepse ai është i preferuari i deklaruar i trajnerit.

Lugano u jep fund akuzave

Akuzat kulmuan me dyshimet se Schaffhauseni, përkatësisht Yakini, do të përfitonte financiarisht nëse Bislimi do të bëhej lojtar i helvetikëve. Nuk ka asnjë provë për këtë. Krejt e kundërta. Yakin kohët e fundit theksoi publikisht se ai kurrë  nuk ishte pronar i Shcaffhausenit. Dhe Lugano shkroi në një deklaratë se “në lidhje me grumbullimin e Uran Bislimit në ekipin përfaqësues zviceran, nuk do t’i bëhet asnjë pagesë bonus për askënd, as për lojtarin (ose menaxherin e tij) dhe as për ish-punëdhënësin e tij”.

Nga ana tjetër, Bislimi, i cili ka kontratë me Luganon deri në vitin 2026, ka rritur vlerën e tij në treg me paraqitje në përfaqësuesen e Zvicrës. A do të përfundoj ai jashtë vendit në një moment? Nuk përjashtohet.

“Të tjerët shkojnë jashtë vendit në moshën 17-vjeçare, Urani gjithmonë eci hap pas hapi”, ka thënë Mogg.

Rruga e Bislimit për t’u paraqitur me Zvicrën nisi nga Concordia, kaloi nëpërmjet Basselit, Schaffhausenit dhe Luganos.