Uran Bislimi ka asistuar në golin e fitores së Luganos ndaj Winterthurit me rezultatin 2:1. Ai asistoi në golin e dytë të realizuar në minutën e 82-të nga Renato Steffen. Steffen shënoi edhe golin e barazimit, kurse golin e vetëm për Winterthurin e realizoi 19-vjeçari, Labinot Bajrami. Bajrami shënoi golin e epërsisë në minutën e 58-të, por më pas skuadra e tij pësoi dy gola për ta humbur 2:1 ndeshjen që i takoi javës së tetë të Superligës zvicerane të futbollit.
Amir Shaipi ishte në portë te Lugano, ndërsa ndeshjen e kompletoi edhe Uran Bislimi. Albian Hajdari u inkuadrua në minutën e 62-të.
Për Winterthurin nga minuta e parë luajtën Granit Lekaj dhe Bajrami. Bajrami luajti deri në minutën e 67-të, kurse Lekaj u përjashtua në minutën e 89-të pas kartonit të dytë të verdhë.
Lugano ka barazuar me pikë Zuerichun dhe Luzernin. Të tria skuadrat kanë nga 17 nga tetë ndeshje. Winterthuri është i fundit me katër pikë.