Skuadra e Beshiktashit ka njoftuar se Milot Rashica ka pësuar lëndim gjatë ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Turqisë kundër Ankaraguçut. Klubi turk ka njoftuar se Rashica ka nisur menjëherë trajtimin mjekësor.
Rashica dhe futbollisti tjetër shqiptar i Beshiktashit, Ernest Muçi ishin ndër më të mirët në ndeshjen të cilën Beshiktashi e fitoi 1:0 ndaj Ankaraguçut. Golin e fitores e shënoi Muçi.
“Në kontrollimin mjekësor të lojtarit tonë Milot Rashica, i cili ndjeu dhimbje në pjesën e sipërme të muskulit të këmbës së majtë, u zbulua tension dhe edemë në pjesën e sipërme të muskulit të këmbës së majtë. Trajtimi i Richid Ghezzalit dhe Milot Rashicës ka filluar nga ekipi ynë mjekësor”, shkruan në njoftimin e klubit turk.
Rashica 27-vjeçar në 39 ndeshje në të gjitha garat e këtij edicioni ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar shtatë herë.