Milot Rashica dhe Beshiktashi të shtunën mbrëma kanë fituar bindshëm në ndeshjen e Superkupës së Turqisë.
Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e Bashakshehirit, fituesi i Kupës së Turqisë për edicionin e kaluar, Beshiktashi, e shkatërroi kampionin në fuqi, Galatasarayn, 5:0. Për 1:0, në minutën e parë të ndeshjes shënoi sulmuesi i ri i Beshiktashit Ciro Immobile. Në minutën e 53-të, Jonas Svensson shënoi për 2:0.
Immobile në minutën e 81-të e realizoi golin e dytë personal në ndeshje dhe të tretin për Beshiktashin. Rafa Silva në minutën e parë të kohës shtesë shënoi për 4:0, ndërsa gol tjetër pas një minute shënoi edhe Mustafa Erhan Hekimoglu, i cili e vendosi rezultatin përfundimtar. Rashica për Beshiktashin luajti për 86 minuta. Në bankën rezervë ishte Ernest Muçi.