Një tjetër lojtar që ka veshur fanellën e Kosovës, do të vazhdojë të luajë për një shtet tjetër në të ardhmen. Bëhet fjalë për Besfort Zenelin, futbollistin që luaji 6 ndeshje për Kosovën U21.
Besforti është vëllai i vogël i Arbër Zenelit. Arbëri për kohë të gjatë luajti për Kosovën. Por kohët e fundit nuk ftohet.
Zeneli 22-vjeçar është ftuar nga përfaqësuesja e Suedisë për ndeshjet e këtij muaji. Më 22 mars, Suedia e luan miqësoren e parë kundër Luksemburgut, derisa tri ditë më vonë ndaj Irlandës së Veriut.
“Ai është një lojtar që e kemi ndjekur për një kohë të gjatë. Ai ëshë paraqitur mirë në ndeshjet e Elfsborg në garat evropiane. Ai vetë ka dashur të luajë për Suedinë dhe është shumë i lumtur për këtë. Ai është një lojtar i guximshëm me topin. Është e qartë se niveli këtu është pak më ndryshe në krahasim me ekipin e klubit, por ne mezi presim ta shohim atë në mjedisin tonë”, ka thënë përzgjedhësi i Suedisë, Jon Dahl Tomasson për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Suedisë.
Zeneli luan në pozitën e mesfushorit qendror, ndërsa luan për skuadrën e Elfsborgut.
