Mërgim Berisha kishte pësuar lëndim të rëndë në nëntor të vitit të kaluar, duke e këputur ligamentin e gjurit.
Ky lëndim e la atë jashtë afro një vit. Sulmuesi shqiptar u kthye në fushën e lojës për Hoffenheimin në vikendin e kaluar.
Ai u inkuadrua në minutën e 78-të në fitoren në udhëtim te Wuerzburger Kickers, në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë.
Fitorja u arrit pas ekzekutimit të penalltive, 5:3, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet ishin mbyllur 2:2.
Berisha e kishte shënuar penalltinë e dytë për Hoffenheimin.
Për rikthimin e Berishës ka folur të enjten në konferencën për shtyp trajneri i Hoffenheimit, Pellegrino Matarazzo.
“Ai ka luajtur kundër Wuerzburgut më shumë sesa që ishte planifikuar. Kishim një kundërshtar që mbrohej fort, por një tjetër dimension i lojës luhet në Bundesligë. Nëse Berisha mund të luajë për 60 minuta, ai është kandidat që të jetë titullar në ndeshjet e ardhshme. Por, unë do t’i lejojë futbollistët të luajnë nga fillimi, vetëm nëse ata janë të gatshëm të zhvillojnë të paktën 60 minuta”, ka deklaruar Matarazzo të enjten.
Hoffenheimi ndeshjen e parë të edicionit të ri të Bundesligës gjermane do ta zhvillojë të shtunën.
Në shtëpi e pret ekipin e inkuadruar sivjet në elitë, Holstein Kielin, nga ora 15:30.