Bernard Berisha është njëri prej futbollistëve të cilit i ka besuar selektori Franco Foda për duelin miqësore kundër Norvegjisë.
Ndeshja Norvegjia – Kosova luhet më 5 qershor në Oslo, dhe Berisha, futbollist i Akhmat Groznyt në Rusi, pret që të paraqiten shumë mirë.
“Për mua është kënaqësi dhe nder të jesh i grumbulluar me vendlindjen tënde, me Kombëtaren e Kosovës. Është privilegj shumë i madh. Trajneri ka sjellë motiv të ri. I shoh të gjithë të angazhuar. Kjo është një risi në Kombëtaren tonë, duhet të vazhdojmë kështu, të jemi kompakt dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Kam përcjellë edhe lojërat e para, ka shumë ndryshime, ka shumë pozitivitet. Ne duhet të vazhdojmë me këto ndihma, me këtë angazhim. Dy stërvitjet e para kanë shkuar shumë mirë, do të thotë intensitetin të cilin duhet ta mbajmë. Shpresoj që në ndeshjen me Norvegjinë të tregojmë lojë të mirë, të tregojmë se kemi potencial dhe synojmë kualifikimin. Secili lojtar duhet ta jap më të mirën, të angazhohet, sepse edhe trajneri i ri i sheh të gjithë lojtarët dhe për ne është test i mirë për ta treguar në fushë një lojë shumë të mirë. Të luash për vendin tënd nuk ka ndjenjë më të mirë”, ka thënë Berisha.
Berisha me Kosovën ka 24 paraqitje dhe një gol të shënuar.
Në 32 ndeshje me Akhmat Groznynin në sezonin e fundit ka shënuar tri gola dhe ka dhuruar gjashtë asistime.
Kosova të premten e zhvilloi stërvitjen e dytë në Kampin Nacional në Hajvali, për duelin kundër Norvegjisë që luhet më 5 qershor.
FFK-ja ka shkruar se fokusi në stërvitje ka qenë te pjesa taktike.
Stërvitja e radhës do të zhvillohet të shtunën në orën 11:00.